Kuvendi Miraton Faljen e Borxheve

E publikuar: 10/07/2015 15:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më 70 vota për, 1 kundër, deputetët e Kosovës kanë votuar miratuar projektligjin për faljen e borxheve.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se falja e borxheve duhet të bëhet me ligj të veçantë dhe data e faljes së borxhit do të jetë nga 31 dhjetori 2008.

“Sipas këtij ligji do të falen të gjitha borxhet që kanë qenë obligim për pagesë në emër të obligimeve tatimore, doganore dhe tatimit në pronë si dhe të gjitha obligimeve financiare ndaj ndërmarrjeve publike që ofrojnë shërbime publike deri më datë 31 dhjetor 2008”, deklaroi Hoti.

Ai tha se qytetarët dhe bizneset duhet të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve nga janari i vitit 2009 deri më 31 dhjetor 2014.

“ Në këtë rast personat e tillë përveç faljes së tërësishme të borxheve për periudhën 31 dhjetor 2008 do të përfitojnë edhe faljen e ndëshkimeve, interesit dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mospagesa me kohë e kryerjes së borxhit për periudhën 1 janar 2009 deri 31 dhjetor 2014 ose të lidhin marrëveshje me institucionin shtetëror apo ndërmarrjen publike për pagesën e borxheve me këste për periudhën 1 janar 2009-31 dhjetor 2014”, tha Hoti.

Ministri Hoti tha se pagesa e borxhit në këtë ligj është paraparë të bëhet brenda afatit prej dy vitesh për personat juridik ndërsa brenda afatit prej tre vitesh nga personat.

“Shuma e borxheve që do të falen në total është 680 milion euro të qytetarëve dhe bizneseve shtetërore deri ën fund të vitit 2008. Prej të cilave janë 140 milion të borxheve ndaj ATK-së janë 6 milion euro ndaj doganës, 57 milion euro në tatimin në pronë dhe 465 milion euro ndaj ndërmarrjeve publike”, deklaroi ministri Hoti.

Ndërsa kryetari i komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani nga LDK-ja tha se ky projektligji ka për qëllim falje e borxheve publike të personave fizik dhe juridik ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike.

“Sipas këtij projektligji, do të falet borxhi publik që nënkupton që çdo shumë e paguar e borxhit tatimor doganor, tatimit në pronë, obligimit e tjera ndaj ndërmarrjeve të tjera publike, ndëshkimet, gjobat, interesin dhe çdo obligim tjetër që vjen nga mos pagesa me kohë e borxhit sipas gjendjes në datën në fuqi të këtij ligji”, pohoi Osmani.

Ndërsa deputetja e Partisë së Drejtësisë, Labinotë Demi-Murtezi në koalicionin qeverisës ftoi deputetët e kuvendit ta votojnë projektligjin për faljen e borxheve.

“Stimulimi se borxhet do të falen nëse paguhen ato më të rejat, përkatësisht të atyre të periudhës 1 janar 2009 dhe 31 janar 2014 pa diskutim që kanë rëndësinë e vetë pa hyrë në detaje tjera që dhanë ministri i Financave dhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa. Andaj si anëtare e komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e PDK-së përkrahim projektligji për faljen e borxheve publike dhe ftojmë deputetët që ta votojnë këtë projektligj”, pohoi deputetja Demi-Murtezi.

Gjatë kësaj seance është miratuar me 61 vota për, 9 kundër edhe raporti vjetor për vitin 2014 të Bankës Qendrore të Kosovës. Po ashtu me 56 vota për, 10 kundër dhe 4 abstenime është miratuar edhe raporti i Fondit të Kursimeve për vitin 2014.