Kuvendi mban sot seancën e parë për presidentin e ri, ja si do të procedohet

E publikuar: 19/04/2017 09:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi do të mblidhet pasditen e sotme për raundin e parë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Fillimisht do të ketë një mbledhje te Komisioni i Ligjeve rreth orës 10:00, ku do të shqyrtohen kandidaturat për postin në fjalë.

Megjithatë gjasat janë që raundi i parë të digjet, pasi mazhoranca do të kërkojë një figurë konsensuale që merr “bekimin” e opozitës e cila vijon protestën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, ka deklaruar se do të pritet opozita e cila ndodhet në bojkot, deri në momentin e fundit me synim arritjen e një kandidature konsensuale.

Konferenca e Kryetarëve të Kuvendit të enjten e kaluar, vendosi që më 19 prill të nisë raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Zgjedhja e kreut të shtetit sipas Kushtetutës mund të bëhet me pesë raunde, ku në tre raundet e para duhet një shumicë me 3/5 e votave ose 84 të tilla, ndërsa dy raundet e tjera me shumicë të thjeshtë prej 71 votash. Në rast se Presidenti nuk zgjidhet në asnjërën nga raundet, bëhet shpërndarja e Parlamentit dhe shkohet në zgjedhje brenda 45 ditësh. Presidentit aktual Bujar Nishani i mbaron mandati më 24 korrik.