Kuvendi i shpërfillur

E publikuar: 29/04/2018 09:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qëndrim mospërfillës mbajnë deputetët ndaj tingëllimës së ziles në Kuvendin e Kosovës, që zhurmon edhe pasi të kenë filluar seancat plenare. Në shumë raste ligjvënësit shfaqen të painteresuar për t’i ndjekur punimet e Kuvendit. Kjo zakonisht ndodh pasi të jenë nënshkruar në listën e mëditjeve.

Shumica prej të zgjedhurve janë shndërruar në mekanizëm që vihen në funksion veç kur “shefat” i kurdisin për të votuar ndonjë ligj, rezolutë apo kur në rend dite është emërimi i anëtarëve të bordeve dhe i agjencive të pavarura, shkruan sot “e diela me Koha Ditore”.

Organi më i lartë përfaqësues ka dështuar ta përmbushë edhe rolin mbikëqyrës dhe kontrollues mbi institucionet që i zgjedh, të cilat janë të obliguara t’i raportojnë. Madje deputetët kanë shfaqur pafuqi karshi ndërhyrjeve të shumta dhe shpërfilljes që ua bën Qeveria.

Vëzhgues të punës së institucionit më të lartë përfaqësues thonë se mungesa e disiplinës së deputetëve, polarizimet e skajshme dhe ndërhyrjet e Qeverisë kanë paralizuar në masë të madhe funksionimin e institucionit ligjvënës.

Dobësitë e Kuvendit i ka evidencuar edhe Komisioni Evropian në Raportin e Progresit./koha.net/