Kuvendi dështon t’i zgjedh anëtarët e OSHP-së

E publikuar: 15/03/2016 11:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta kaloj rekomandimin për emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Rekomandimi i Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit është votuar dy herë, por nuk ka marr votat e mjaftueshme.

Në herën e parë rekomandimi ka marr 43 vota për, 1 kundër, ndërsa në herën e dytë rekomandimi ka marrë 40 vota për, 1 votë kundër dhe një abstenim, njofton Klan Kosova.

Në seancë nuk kanë qenë të pranishëm deputetët e asnjërës prej tri partive opozitare. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma tashmë e kanë shpallur bojkotin e të gjitha seancave, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të vendosë për secilën seancë, veç e veç.

Kompletimi i OSHP-së është edhe një ndër tetë rekomandimet e Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave.

OSHP kishte mbetur pa anëtarë, prejse kryetari Hysni Hoxha dhe anëtari Bajram Zogiani janë akuzuar për vepra penale. Ky i fundit është, i cili është i dyshuar për trafikim me qenie njerëzore, është shkarkuar në seancën e kaluar të Kuvendit.