Kushtetuta e Kosovës s’e njeh Zonjën e Parë

E publikuar: 01/03/2016 23:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më 26 shkurt, Kuvendi i Kosovës, votoi pro Hashim Thaçit për president të Kosovës.

Thaçi ka shërbyer për dy mandate si shef i ekzekutivit kosovar, ndërkaq vitin e fundit ishte  zëvendëskryeministër i parë dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme.

Me zgjedhjen e Thaçit president, Kosova tashmë ka edhe Zonjën e Parë të Shtetit. Ajo është bashkëshortja e tij, Lumnije Thaçi.

Por çfarë pune do të bëjë Zonja e Parë?!

Në fakt, bazuar në  Kushtetutën e Kosovës, zonja Thaçi nuk do të bëjë asgjë. Kjo pasi në kapitullin e pestë, ku flitet për kompetencat e Presidentit, nuk përmendet askund puna që mund të bëjë  Zonja e Parë të shtetit, raporton lajmi.net.

Në shtetet e tjera, ky titull gëzon vëmendje të veçantë të publikut dhe medieve. Nëse shikohet më larg, si në SHBA apo vende të tjera më të zhvilluara, Zonja e Parë luan rol të rëndësishëm në plotësimin e  detyrës së bashkëshortit të saj, në këtë rast të presidentit.

Ajo merret kryesisht me punë humanitare, kulturore, ndihmë komuniteteve të caktuara e në vështirësi si dhe organizime që kanë për qëllim ndihmesën apo edhe të rasteve sociale.

Por si duket, zonja Thaçi e cila për gjithë këto vite e ka mbështetur bashkëshortin e saj në karrierën e tij politike, nuk është se do të gëzojë ndonjë benificion specifik apo të veçantë tash që po bëhet Zonja e Parë e vendit.

I vetmi benificion, krahas privilegjit të qenit bashkëshortja e Presidentit të Kosovës, zonja Thaçi mund të përfshihet edhe në udhëtimet zyrtare apo edhe në pritjet e presidentëve të vendeve të tjera.

Por një mundësi të tillë ajo e ka pasure dhe më herët si bashkëshorte e Kryeministrit Thaçi, por megjithatë daljet e saj ishin vetëm në fushata zgjedhjesh.

Ndër të tjera, zonja Thaçi tash si bashkëshorte e presidentit të republikës,  do të ketë edhe pasaportë diplomatike, por as në këtë rast, nuk është diçka e veçantë për të. Kjo pasi bazuar në Ligjin për Dokumentet e Udhëtimit, si bashkëshorte e zv.kryeministrit dhe ministrit të jashtëm, ajo e ka pasur një pasaportë të tillë. Në fakt, pasaportë të tillë diplomatike bazuar në këtë ligj, e gëzojnë të gjithë familjarët e zyrtarëve të lartë shtetërorë si Presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe deputetët si dhe kryeministrit./lajmi.net