Kush thoshte se Bajram Kosumi u bë aksidentalisht kryeministër?

E publikuar: 14/01/2020 00:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka qenë viti 2005 kur Kosovën e qeveriste koalicioni LDK-AAK, nën administrimin ndërkombëtar.

Kryeministër në atëbotë ka qenë Ramush Haradinaj, por në marsin e këtij viti i erdhi ftesa nga Gjykata e Hagës, e që pasoi edhe dorëheqja e tij nga kryetari i qeverisë.

Në krye të qeverisë erdhi Bajram Kosumi, sot rektor në Universitetin Publik “Kadri Zeka”.

Dorëheqje morale dha edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ahmet Isufi, i cili ardhjen e Bajram Kosumit e shihte si aksidentale.

“Ka qenë e vështirë kur Haradinaj shkoi në Hagë, të vije një personalitet tjetër në mënyrë normale. Prandaj, ardhja e tij (Bajram Kosumit) është ardhje aksidentale. Normalisht që të gjitha kritikat që kanë vazhduar ndaj z. Kosumi, janë të bazuara në atë se ai erdhi pas z. Haradinaj dhe cilido kryeministër që do të vinte, do të ishte në një pozitë të palakmueshme”, është përgjigjur Isufi, në pyetjen e gazetës “Java” se si e shihte 150 ditëshin e punës së Kosumit, në tetorin e vitit 2005, transmeton Mediafokus.info.

Ndërkohë, për shkak të përfoljeve të shumta të kohës, kryeministri i tanishëm dhe lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, pas lirimit nga Haga në vitin 2008, kishte liruar nga partia e tij Bajram Kosumin dhe Bujar Dugolli.

Të dy sot janë në botën akademike. Kosumi është rektor i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, ndërkaq Dugolli, dekan i Fakultetit Filozofik.