Kush nuk paguan rrymën, mbetet pa shtëpi

E publikuar: 01/04/2015 11:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ashpërohet ligji për të gjithë ata që do të refuzojnë të paguajnë faturat e energjisë elektrike. Nëse deri më tani, për këtë kategori, si sanksion më “ekstrem” ishte parashikuar masa me burg, tani do të bllokohen hipotekat e banesave. Ndryshimet e prezantuara në Komisionin e Ligjeve nga zëvendësministri i Energjisë, Ilir Bejtja, kanë hasur në kundërshtimin e të djathtëve.

Një risi tjetër që vendoset në ligjin për energjinë, ka të bëjë me kompanitë private që do të krijohen në vend, nga të cilat konsumatorët do të jenë të lirë të zgjedhin furnizuesit, sipas kushteve që këta të fundit do të vendosin.

Ilir Bejtja u shpreh se ky projekt përcakton qartë shtyllat kryesore, si siguria për furnizimin me energji elektrike, dhe konfirmon pavarësinë ligjore të Entit Rregullator. “Do bllokohet hipoteka e banesës, në rast se nuk shlyhen detyrimet e borxheve. Por edhe ne momentin e kalimit të pronës, nuk do të lejohet pa shlyer debinë ndaj kompanisë”, tha Ilir Bejtja, duke folur edhe për rëndësinë e ristrukturimit të këtij sektori, pas heqjes së licencës së CEZ-it, shkruan Shekulli.

“Projektligji ka si qëllim krijimin një tregu konkurrues, i cili do të mundësojë një furnizim të qëndrueshëm me energji të klientëve, duke marrë në konsideratë interesat e konsumatorëve, minimizimin e kostos në furnizim dhe përshtatshmërinë e tij me mjedisin. Hartimi dhe miratimi është parë me përparësi, duke ndjekur situatën komplekse të krijuar pas heqjes së licencës së kompanisë së shpërndarjes CEZ. Përvojat negative dhe riblerja mbrapsht e 76 për qind të aksioneve të kësaj shoqërie nga qeveria shqiptare ka bërë të domosdoshëm ristrukturimin e këtij sektori, duke përfshirë edhe ndryshimin e modelit të tregut”, u shpreh zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë.

Duke iu përgjigjur deputetit Fino, sa i përket periudhës që ky sektor do të kthehet në fitimprurës, Bejtja tha se parashikohet që humbjet të minimizohen drejt zeros në fillim të vitit 2017, transmeton Shekulli./Telegrafi/