“Kush kthen patentën, transport publik me gjysmë çmimi”, oferta për të moshuarit mbi 70 vjeç në Zvicër

E publikuar: 05/03/2018 08:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kantoni i Gjenevës ka njoftuar një ofertë të posaçme të transportit publik për të moshuarit, për t’i inkurajuar ata që të marrin vendimin e vështirë për të hequr dorë nga drejtimi i makinës, shkruajnë mediat zvicerane.

Nga e hëna e ardhshme, 100 të parët e moshës mbi 70 vjeç, të cilët ua kthejnë patentën e shoferit autoriteteve, mund të marrin një kartë të transportit publik vjetor me gjysmë çmimi vjetor, që do të thotë se do t’i kushtojë 200 franga, në vend të 400 frangave.

Përveç kësaj, tre më të shpejtit që shkojnë në zyrat e shërbimit të automjeteve, të hënën nga ora 11:00, do ta marrin atë plotësisht falas.

Plani u krijua nga ministri i kantonit të Gjenevës, Luc Barthassat me qëllim që të ndihmonte të moshuarit të merrnin “vendimin e vështirë” për të hequr dorë nga patentë shoferi i tyre, shkruan “Le Matin”, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, kjo pritet t’i kushtojë kantonit 20 mijë franga, ndërsa ka pasur reagime të ndryshme, duke pasur edhe mos pajtime rreth këtij vendimi.

Gjeneva është një nga qytetet më të mbingarkuara në botë, sa i përket trafikut. Një studim i kohëve të fundit ka treguar se shoferët kalojnë mesatarisht 52 orë në trafik.