Kush ishte Sherif i Kuvendit para Vjosa Osmanit?

E publikuar: 25/07/2020 20:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, gjatë seancës së mbajtur të enjten (23 korrik, 2020), ku janë votuar pesë marrëveshje ndërkombëtare, e ka bërë një koment në gjuhën angleze i cili ka ngjallur reagime në vend.

Pasi bashkë-partiaku i saj, deputeti Kujtim Shala e ka kritikuar atë duke i thënë se nuk ka të drejtë t’i komentojë deklarimet e deputetëve apo të ministrave nga funksioni që ushtron, Vjosa Osmani ka thënë se e njeh mirë rregulloren e Kuvendit dhe se tashmë “There is a new Sheriff in town”.

“Siç do të thoshin miqtë tanë amerikanë ‘There is a new Sheriff in town’. Kështu që duhet të mësoheni me një lexim të drejtë, me një lexim të përpiktë, me një lexim që i trajton të gjithë të barabartë”.

“Ka shumë këtu që dëshirojnë që rolin tim si kryetare e Kuvendit ta shohin si rol tërësisht teknik, ku nuk kam të drejtë të mbaj qëndrime politike. Duhet ta harroni një gjë të tillë sepse nuk ka për të ndodhur kurrë”, ka thënë Osmani.

Pas kritikave që mori nga Mërgim Lushtaku (deputet i Partisë Demokratike të Kosovës), Vjosa Osmani ka thënë se shprehja “There is a new Sheriff in town” përdoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si gjuhë institucionale dhe se kjo nuk ka të bëjë me Polici, e as me Sheriff.

“’There is a new Sheriff in town’ përdoret edhe si gjuhë institucionale, mund ta gjeni në arkivat e Shtëpisë së Bardhë”.

“Sa herë të vijë një president i ri ashtu prezantohet, që do të thotë është një autoritet i ri që sjellë ndryshim, ky është kuptimi dhe nuk ka të bëjë më Polici, e as me Sherif, ju duhet ta dini këtë punë”, është kundërpërgjigjur ajo.

Nëse Vjosa Osmani si gruaja e parë në krye të Kuvendit është Sherifja e re, shtrohet pyetja: KUSH ËSHTË SHERIFI I VJETËR?

Klan Kosova e ka telefonuar Sherif Konjufcën (babanë e nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcës), i cili për një kohë të gjatë ka shërbyer në Kuvendin e Kosovës.

I pyetur se si e komenton deklarimin e Vjosa Osmanit “There is a new Sheriff in Town”, ai ka thënë se tashmë është pensionuar dhe se nuk dëshiron t’i komentojë zhvillimet politike në vend.

Sipas tij, kjo shprehje e Osmanit është nxjerrë jashtë kontekstit dhe është keqpërdorur.

Kujtojmë se që nga koha e pasluftës e deri në pensionim (dy vjet më parë), Sherif Konjufca e ka mbajtur pozitën e drejtorit për media në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa para luftës, ai ka qenë pjesë e subjektit politik të veprimtarit dhe profesorit Ukshin Hoti.