Kush është ministri që u paralajmërua publikimi i dosjes në Kuvend

E publikuar: 18/11/2017 09:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria e Krimeve të Rënda, deri në krijimin e SPAK, duket se do të përballet me disa çështje të rëndësishme, objekt i të cilave mund të jenë zyrtarë të lartë apo siç konsiderohen nga ambasadorët e akredituar në Tiranë “peshqit e mëdhenj”.

Ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, prej disa javësh ndodhet nën hetim nga kjo prokurori, pas publikimit të përgjimeve të antimafias italiane në lidhje me trafikun e narkotikëve.

Madje për Tahirin organi i akuzës kërkoi arrestimin, kërkesë kjo që u hodh poshtë nga deputetët socialist. Debati për ish-ministrin e Brendshëm vijon, ndërsa nga salla e Kuvendit në seancën e fundit, kreu demokrat paralajmëroi publikimin e një tjetër dosjeje për një prej ministrave aktualë të kabinetit Rama.

Por kush është ai?

Burime të rezervuara bënë të ditur për syri.net se dy ish-ministra dhe dy aktualë mund të jenë objekt i hetimeve nga Prokuroria. Megjithëse nuk bëhen të ditur emrat, mësohet se një nga ish-ministrat mund të përfshihet në hetimet e nisura nga prokuroria në lidhje me trafikun e drogës, referuar informacioneve dhe dosjeve të antimafias italiane, e cila ka përgjuar për një kohë të gjatë një prej grupeve që transportonin lëndën narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Ndërkohë dy prej anëtarëve të kabinetit qeveritar mund të përfshihen në hetime për çështje të tjera, por duket se informacionet që qarkullojnë mund të zyrtarizohen në javët apo muajt në vazhdim.

Sipas burimeve, syri.net ka mësuar se gjithashtu hetimet mund të përfshijnë edhe një deputet dhe dy kryebashkiakë të rëndësishëm, ndonëse gjithçka duket hermetike nga organi i akuzës. Ajo që pohohet është se në duart e prokurorëve janë disa dosje “të nxehta”, të cilat nëse do të ishte ngritur SPAK do të ishin objekt i punës së tij.

Por duket se organi i akuzës nuk ka ndërmend të veprojë si në rastin e Sajmir Tahirit, ku u kërkua arrestimi referuar përgjimeve të antimafias. Burimet shprehen se për çdo rast informacionet do të plotësohen në tërësinë e tyre, në mënyrë që mos gjenden alibi për të mbrojtur apo për të mos miratuar kërkesat e organit të akuzës, veçanërisht kur ato paraqiten për zyrtarë që gëzojnë imunitet.

Gjithsesi deri në momentin kur prokuroria do të veprojë gjithçka mbetet në kuadrin e dyshimeve apo akuzave politike, edhe pse flitet për përgjime të bëra nga shërbimet secrete të vendeve partnere apo për filmime të ministrave apo deputetëve gjatë fushatës së fundit elektorale me persona me precedentë penalë, të cilët ose janë nën hetim ose janë nën përgjim/syri.net/