Kush e kundërshtoi e kush i doli krah Albin Kurtit që votoi në Shqipëri?

E publikuar: 26/04/2021 14:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të dielën, më 25 prill qytetarët në Shqipëri u janë drejtuar kutive të votimit.

Të drejtë vote atje kishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili qysh në mëngjes e shfrytëzoi këtë të drejtë, ku përveç që votoi edhe ftoi të gjithë qytetarët e Shqipërisë që të votojnë, pasi që sipas tij në këtë mënyrë do ta respektonin atdheun.

Por, vota e Kurtit në Shqipëri nxiti reagime tek pothuajse e gjithë skena politike në Kosovë e deri tek Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

“Nuk mund ta kuptoj për cka është e gjithë kjo. Në njërën anë të gjithë në Kosovë ankohen për ndërhyrjen nga Serbia apo nga presidenti Aleksandër Vuçiq, por në anën tjetër Kryeministri i Kosovës edhe voton në një shtet fqinj. Nuk është e pranueshme, së paku jo për mua”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Kreu i opozitës, Enver Hoxhaj, tha se Kurtit më shumë po i interesojnë bashkëpartiakët e tij në Shqipëri sesa fati i qytetarëve të Kosovës.

“Albin Kurti për të satën herë po shfaqet në Shqipëri si Kryeministri i Kosovës që më shumë i interesojnë bashkëpartiakët atje se fati i bashkëqytetarëve këtu”.

Tutje, Hoxhaj tha se Kurti me ministrat e tij po bëjnë xhiro me xhipa Shqipërisë derisa qytetarët e Kosovës vdesin nga koronavirusi.

“Njerëzit po infektohen edhe më shumë, të tjerët po vdesin në mungesë të vaksinave e Kryeministri Kurti me ministrat e tij por bëjnë xhiro me xhipa e deklarata për mot të mirë në Shqipëri. Por parashikimet në Kosovë nuk janë të tilla z. Kryeministër. Janë të errëta dhe për të cilat do të mbash përgjegjësi”, ka shkruar Hoxhaj.

Kritika për Kurtin pati edhe bashkëpartiaku i Hoxhajt, Bekim Haxhiu, i cili tha se “Kryeministri i Kosovës ka mbyllur qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, ndërsa ai vet votoi në qendrën e votimit në Tiranë”.

Haxhiu shtoi se Kurti në vend që të bashkëpunonte me Shqipërinë për sigurimin e vaksinave, ai po bën rivalitet konkurrentin politik atje.

“Në vend se të mirret me shpëtimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, ka vendosur që prioritet t’i ketë zgjedhjet atje dhe politikën ta zhvillojë në Shqipëri. Qeveria Kurti 2 në vend të bashkëpunimit me Shqipërinë për të siguruar vaksinat për të moshuarit dhe mësimdhënësit ka vendosur të bëjë konkurrentin politik në Shqipëri e në anën tjetër qytetarët e Kosovës nuk mund të vaksinohen nga paaftësia e qeverisjes së tij për të siguruar vaksinat”, tha Haxhiu.

Kurse, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, votimin e Kurtit në Shqipëri e pa si të pa kuptimtë dhe me pasoja gjeopolitike e gjeostrategjike për Kosovën.

“Pjesëmarrja në votime e kryeministrit të Republikës së Kosovës në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Shqipërisë, e pakuptimtë, e papranueshme dhe me pasoja gjeopolitike dhe gjeostrategjike për shtetin e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Pa reaguar nuk mbetën as presidenti serb dhe ambasadori serb në Amerikë, Marko Gjuriq.

Vuçiq në një konferencë për media pas takimit me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha Kurti mburret që ka votuar në Shqipëri, e po ta bënte të njejtën gjë ai në Graçanicë do të ishte një skandal i përmasave botërore.

“Ajo që unë i tregova Miroslav Lajçakut sot, është fakti që Albin Kurti mburret se ka votuar në Shqipëri, i cili “de facto” thotë se nuk ka rëndësi nëse jeni në Tiranë apo Prishtinë, se është i njëjti vend. Imagjinoni, edhe pse Kosova është Serbi sipas Kushtetutës, po të kisha votuar në Graçanicë, ose ndonjë vend tjetër në Kosovë. Do të ishte një skandal i përmasave botërore, megjithëse ato dy gjëra nuk janë të krahasueshme dhe sipas Kushtetutës dhe Rezolutës 1244, Kosova është pjesë e Serbisë”, ka thënë Vuçiq.

Kurse, Gjuriq votën e Kryeministrit të Kosovës në Shqipëri e ka parë si tendencë që dikush po do ta kthejë Ballkanin në fuçi baruti.

“Kjo është një lojë shumë e rrezikshme dhe një sfidë e qartë për SHBA, BE, Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare … Le ta kujtojmë këtë mirë, dhe pastaj të reflektojmë se kush saktësisht po përpiqet ta kthejë Ballkanin përsëri në një fuçi baruti”, ka shkruar Gjuriq.

Ndërsa i vetmi që i doli krah Kurtit për votën e tij në Shqipëri, ishte ish-bashkëpartiaku i tij dhe kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Sipas Ahmetit, me Kurtin mund të mos pajtohen më shumë gjëra, por votimi në Shqipëri nuk është njëra ndër to.

“Mos harroni, përveç shtetësisë, VV garoi në zgjedhje sot. Në qoftë e asgjë më shumë, një votë më pak për kandidatët e VV nuk është fer ndaj kandidatëve. Në qoftë se kritikojmë dyshtetësinë e kryeministrit kemi më pak kryeministra me një shtetësi (Çeku – Kroaci, Thaçi – Shqipëri)”.

“Krahasimin në mes të Serbisë dhe Shqipërisë as që dua të mundohem. Ti kthehemi shtesave, vaksinave e krizës ekonomike!”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social Facebook, transmeton Klan Kosova.