Kush do ta marrë udhëheqjen e dialogut në Prishtinë?

E publikuar: 28/06/2019 17:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, Ligji për Delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë është jo-kushtetues, ka sjellë si pasojë faktin që Kosova të mos ketë ekip negociator, si dhe të mos ketë as Ligjin dhe platformën për negociata.

Në Qeverinë e Kosovës, për dy ditë nuk është komentuar fare ky vendim, pavarësisht se ekzekutivi ishte iniciuesi kryesor i formimit të ekipit negociator dhe hartimit të ligjit dhe platformës për bisedimet me Serbinë.

Në ekzekutivin kosovar, nuk kanë dashur të komentojnë e as të tregojnë se çka do të ndodhë tutje dhe cilët do të jenë hapat e ardhshëm në procesin e dialogut politik ndërmjet Kosovës edhe Serbisë.

Të enjten, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të lëndës së parashtruar nga dy partitë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, me të cilën konstatohet si jo-kushtetues Ligji për Delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë dhe rrjedhimisht edhe ekipi negociator, i cili funksiononte mbi bazën e atij ligji.

Në një komunikatë për media thuhet se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se “delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit”.

Bazuar në vendimin e Kushtetueses, analistët politikë kanë konstatuar se kryeministri në koordinim dhe konsultim me presidentin, duhet ta bartin barrën e dialogut.

Pavarësisht përgjegjësive dhe kompetencave, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka ftuar forcat politike që të ulen dhe të ndërtojnë një konsensus të përbashkët politik në lidhje me dialogun me Serbinë.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është udhërrëfyesi ynë në çdo hap drejt forcimit të shtetësisë sonë dhe drejt integrimit euroatlantik të shtetit tonë. Por, askush i vetëm nuk mund ta marrë barrën e zgjidhjes së një konflikti shekullor me Serbinë, prandaj gjithmonë kam apeluar për unitet politik në këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët tanë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Njohësit e procesit të dialogut politik Kosovë-Serbi, thonë se kjo çështje duhet të kthehet në bazë dhe se procesin e dialogut, veç Qeverisë, nuk mund ta udhëheqë asnjë grup apo ekip negociator.

Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi duhet të udhëhiqet nga ekzekutivi dhe të mbikëqyret nga Kuvendi i Kosovës.

“Mbetet kyçe që të ketë bashkërendim të institucioneve kushtetuese të institucioneve të Kosovës në mënyrë që ky proces të shkojë parapara dhe ne të sillemi si shtet serioz duke respektuar Kushtetutën, demokracinë e vlerat demokratike të cilat i ka ky shtet”, thotë Krasniqi.