Kusari:Nga Uashingtoni pres vetëm foto, aspak transparencë

E publikuar: 19/06/2020 23:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputetje e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se nuk pret shumë nga takimi i paralajmëruar më 27 qershor në Uashington, mes Kosovës dhe Serbisë.

“Një fotografi pres nga Uashingtoni dhe mungesë të transparencës. Nëse është për çështje ekonomike, do të jetë përmbledhje e dy marrëveshjeve paraprake. Nuk e di se çfarë kornize mund të ketë marrëveshja e re”, ka deklaruar Kusari-Lila në “Pa maskë”, në T7.

Ajo ka thënë se idenë e ndryshimit të territoreve e ka të konfirmuar nga një përfaqësues ndërkombëtar.

Kusari ka folur edhe se çka mund të kishte bërë ndryshe Albin Kurti në qeverisjen e tij.

“Në rast se je për reciprocitet, por të hiqet taksa më herët, është dashur më herët të hiqet taksa e të vendoset reciprociteti. Kurti mund të vepronte ndryshe, por edhe Trump ishte shumë i prerë”, ka thënë ajo.

Ndërsa për partnerët e deritanishëm, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Kusari-Lila ka thënë se nuk e ka pritur këtë sjellje në raport me Lëvizjen Vetëvendosje.

“E kam ditur se mungesa e përvojës institucionale e VV-së do t’i ketë disa çalime. Por asnjëherë nuk kam dyshuar në qëllimin e subjektit politik. Në anën tjetër, e kemi pasur LDK-në me nja bagazh të madh. Ajo çka kam pritur është se përvojën e mirë të saj do ta plotësojë me LVV-në. Por pazaret politike u bënë vendimtare për koalicionin”, është shprehur ajo.