Kusari tregon bisedën me një mësues turk që kishte ikur nga Kosova nga frika se “Thaçi do ta deportonte” tek Erdogani

E publikuar: 24/07/2019 21:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias në Kosovë, ka pasur një bashkëbisedim interesant me një mësues turk në Gjermani i cili deri para disa kohësh ka punuar në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari ka treguar si ka hasur në mësuesin turk. Ajo thotë se mësuesi iu afrua “pasi më dëgjoi duke fol shqip në telefon, derisa isha duke ble pemë”.

Mësuesi turk i ka thënë asaj se e ka lënë punën në Kosovë, në shkollën “Mehmet Akif”, pas dëbimit të 6 shtetasve turq nga Kosova. Për këtë veprim, mësuesi turk e ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi, dhe thotë të jetë frikësuar se mos deportohet edhe ai për në Turqi.

“E kam lënë punën si mësues në Kosovë, në ‘Mehmet Akif’, pasi që presidenti juaj i kidnapoi dhe ia dorëzoi presidentit tonë kolegët e mi mësues. U frikësova që më deporton edhe mua dhe familjen time”, i ka thënë ai juristes Kusari, raporton Koha.net.

Tutje, ai i ka thënë po ashtu se është në pritje të rregullimit të dokumentacionit në Gjermani, gjegjësisht në qytetin Leipzig.

“Tash po i pres letrat këtu në Gjermani dhe ndërkohë po punoj si shitës. Shyqyr Allah që kam gjetë punë”, citon Kusari t’i ketë thënë mësuesi turk.

Më 29 mars të vitit të kaluar, gjashtë shtetas turq të arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të asaj dite, në Prishtinë, Gjakovë dhe Prizren, u dëbuan në Turqi të dyshuari si “gylenistë”. Për këtë ishte formuar një Komision hetimor në Kuvendin e Kosovës, i cili në maj të këtij viti miratoi projekt-raportin mbi operacionin dhe bëri thirrje që çështja të trajtohet nga prokuroria e posaçme e Kosovës.

Kryesuesi i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, pati thënë se komisioni ka konstatuar dhjetëra shkelje nga institucionet e vendit ndërsa, sipas tij, urdhrin për dëbimin e gjashtë shtetasve turq e ka dhënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Mund të them lirisht se janë mbi 31 shkelje, por të faktuara nga dy e më shumë burime janë 31 shkelje të cilat janë evidentuar nga komisioni. Pak a shumë duke marrë parasysh edhe sjelljen e presidentit edhe reagimet si të tij, si të njerëzve përreth tij, tashmë është bërë e qartë se urdhërdhënës për këtë që ka ndodhur është vet presidenti Hashim Thaçi, i cili në mënyrë jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe arrogante parandaloi raportimin para komisionit”, pati thënë ai.