Kusari-Lila: Koalicioni PDK-AAK-Nisma lufton për pushtet, jo për shtet

E publikuar: 01/06/2017 00:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mimoza Kusari-Lila, nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, ka kritikuar koalicionin PDK-AAK-Nisma duke thënë se është koalicion që lufton për pushtet dhe jo shtet.
Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë se koalicioni i PDK-së me AAK-në e Nismën ishte bërë vetëm për ndarje të postit dhe s’ka të bëjë me pika të përbashkëta në programin qeverisës të tri partive.

“Rasti më eklatant i kapjes së shtetit është koalicioni tjetër, PDK-AAK-Nisma. Për pak orë u vendos që të hiqet dorë nga postet dhe u bënë të gjitha ato rokada për koalicion. Ndryshimet dhe format që e bënë koalicionin e kanë bërë për pushtet dhe jo për shtet. Treguan vetëm kush kandidon për kryeministër kush për çka, asgjë për plan programor”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila, që është edhe kryetare e Gjakovës, ka kritikuar këtë koalicion edhe për mbulimin e qytetit të Gjakovës me pano pa marrë leje nga urbanizmi.

“Ato do të hiqen se janë pa leje. Një koalicion që flet për shtetin e mirë të vendos pano pa asnjë leje, kjo tregon kush janë ata. Në Gjakovë janë opozitë, po sikur të jenë në pushtet”, ka shtuar Kusari-Lila.