Kusari: Alternativa nuk ka votuar pro buxhetit të varfërisë

E publikuar: 04/02/2019 19:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila në një sqarim publik ka thënë se kjo parti nuk e ka mbështetur draft buxhetin e prezantuar dhe votuar në Kuvend.

Përderisa u raportua se Ilir Deda i kësaj partie ka votuar pro projekt-buxhetit, Kusari ka thënë se ky buxhet është klientelesk, i varfërisë dhe i destimulimit të çfarëdo rritje punësimi ose rritje ekonomike, përcjell lajmi.net.

“Si të tillë këtë projekt buxhet, Alternativa asnjëherë nuk e ka mbështetur, aq më pak, kushtëzimet që u bën për kalimin e tij”, ka shkruar ajo në Facebook.

Postimi i plotë:

SQARIM PUBLIK

Partia Alternativa nuk e ka mbështetur draft buxhetin e prezantuar dhe votuar në Kuvendin e Kosovës, për arsyet të cilat edhe i kam prezantuar në seancën plenare gjatë leximit të parë të projekt buxhetit për vitin 2019.

Buxheti i sapo miratuar është buxhet klientelesk, buxhet i varfërisë dhe i destimulimit të çfarëdo rritje punësimi ose rritje ekonomike.

Në të kundërten, ky buxhet ngrit pasivitetin, dekurajon profesionistët e rinj dhe nuk paraqet asnjë pasqyrë për vizion apo zhvillim strategjik të vendit tonë.

Si të tillë këtë projekt buxhet, Alternativa asnjëherë nuk e ka mbështetur, aq më pak, kushtëzimet që u bën për kalimin e tij.

Draftligji apo Ligji i sapo kaluar për delegacionin shtetëror për bisedime, nuk ka arritur të ketë asnjë mekanizëm për parandalimin e ndarjes apo lëvizjes së kufinjëve të Kosovës sipas modelit Thaçi – Vuçiç.

Fatkeqësisht, ky projektligj ia krijoi edhe një trup/mekanizëm shtesë Presidentit Thaçi për të finalizuar çfarë ka nisur vitin e kaluar.

Si i tillë, ky mekanizëm NUK është mbështetur me shumicë absolute nga Kryesia e Alternativës dhe qëndrimi zyrtar i partisë është KUNDËR këtij verzioni të miratuar. /