Kurti: Zajednica e shkëmbimi territorial, përpjekje e njëjtë për ndarjen e Kosovës

E publikuar: 14/09/2020 21:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se asociacioni i komunave serbe dhe shkëmbimi i territoreve janë emra të ndryshëm të përpjekjes së njëjtë të shtetit të Serbisë për ndarjen e Kosovës.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se projektet e Serbisë janë të vjetra dhe se me koncesione të reja, Kosova vetëm sa shtyhet prapa.

Postimi i plotë:

Kur duket që një situatë nuk po ndryshon për një kohë të gjatë, ka mundësi që bëhet fjalë për një kthim prapa që tashmë ka ndodhur.

Teksa lexoja librin “Standardet dhe Statusi” të ish-PSSP-së, Joachim Ruecker, më përkujtohet se dikur decentralizimi etnik, ndërkaq sot ‘Zajednica’ dhe ‘shkëmbimi territorial’, janë emra të ndryshëm të përpjekjes së njëjtë të Beogradit për ndarjen e Kosovës. Ja një paragraf nga faqja 61 e këtij libri:

“Në lidhje me çështjen e decentralizimit, e cila ishte shumë e diskutueshme, plani kërkoi të pajtojë kërkesat e kundërta. Fillimisht, Koshtunica kërkoi ndarjen e plotë të Kosovës, e cila parashikonte copëtimin e saj territorial përgjatë vijave etnike. Kjo kërkesë u rrëzua gjatë negociatave dhe në vend të kësaj Beogradi propozoi krijimin e 12 komunave me shumicë serbe në Kosovë, pjesërisht të lidhura gjeografikisht, me një nivel të lartë të autonomisë, lidhje të forta ndër-komunale dhe lidhje të drejtpërdrejta institucionale me Beogradin.”

Projektet e Serbisë janë të vjetra. Me koncesione të reja, Kosova po shtyhet prapa.