Kurti: Veliu bëri tradhti të dyfishtë – kërkova nga Mustafa një emër tjetër për ministër

E publikuar: 18/03/2020 22:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media, tha se dje patëm një zhvillim të pazakontë, pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u angazhua që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në vendin tonë.

Por, thotë Kurti, ky hap nuk ka nevojë të ndërmerret sepse nuk janë shterur ende kapacitetet e sigurisë në vend.

“Në raportet e Këshillit të Sigurisë, që i marr çdo ditë, ka një të përbashkët: te konkluza e gjendjes së sigurisë është ngjyra e verdhë. Nuk është ngjyrë e gjelbër, por as portokalli dhe as e gjelbër. Pra, situata është e menaxhueshme. Por, edhe përkundër kësaj, në Këshill u propozua që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme nga presidenti. Për bindjen time, kjo është e panevojshme, e padobishme, e palogjikshme, andaj edhe në konsultën me presidentin pardje, edhe në mbledhjen e mbrëmshme, e përsërita qëndrimin tim si kryeministër, se i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme, dhe nuk jemi duke i shfrytëzuar të gjitha masat në dispozicion për parandalimin e koronavirusit. Në anën tjetër, kishim një insistim të parapërgatitur me tekste të gatshme që me çdo kusht të shkohet në gjendje të jashtëzakonshme. Unë isha shumë koperativ, meqenëse në mbledhjen që u kërkua mbrëmë, brenda pak orëve e thirra, ndonëse nuk ekzistonte urgjenca për një gjë të tillë. Tash jemi në pritje të përgjigjes së Kuvendit për kërkesën e presidentit për dekretin e tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, edhe sot jam i bindur se s’ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme. Është e mundshme që një nevojë e tillë të shfaqet në javët në vijim, por lutem e punoj që kjo të mos ndodhë, por jam i bindur se as mbrëmë e as sot nuk kemi arsye për një gjë të tillë. Natyrisht se unë vazhdoj komunikimin dhe bashkëpunimin me të gjithë krerët e institucioneve sepse e kam obligim si kryeministër dhe interes i vendit tonë”, theksoi Kurti, raporton KOHA.

Ai foli edhe për deklarimin e tashmë ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, për të cilin tha se ka përhapur dezinformata dhe ka bërë tradhti ndaj Policisë dhe Qeverisë kur ka thënë se “rastet me koronavirus po rriten nga ora në orë”.

“Duhet të theksoj se pas mbledhjes së mbrëmshme të Këshillit të Sigurisë, unë nuk i kam ndjekur menjëherë deklarimet, por ato i kam parë sot në mëngjes. Dhe në mesin e tyre, kryesori ishte ai i ish-ministrit të Brendshëm, Veliu, i cili në mesnatë, në një televizion të Kosovës, ka përhapur panik, duke thënë se numri i të infektuarve po rritet nga ora në orë. Natyrisht se këta 19 të infektuar deri mbrëmë nuk ishin për 19 orë. Mbase ishin për 19 ditë, por jo për 19 ditë. Të thuash pa kurrfarë evidence, pa kurrfarë baze shkencore, pa kurrfarë raporti zyrtar a institucional, se numri i të infektuarve po shtohet nga ora në orë, është e papërgjegjshme. E kur ke edhe përgjegjësi ekzekutive, është e dënueshme. Së dyti, përveç që u gënjye drejtpërsëdrejti në TV, në drejtim të frikësimit dhe shtimit të panikut aty ku ai mund të ketë ekzistuar, në pyetjen shumë të qartë të gazetarit: ‘a jeni për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme’, ish-ministri tha, ‘Po, sigurisht’. Kjo është e palejueshme dhe unë s’kisha zgjidhje tjetër përveçse ta liroj nga detyra ish-ministrin Veliu. Më shumë se gjysmë ore paraprakisht e kam njoftuar kryetarin e LDK-së dhe kam kërkuar një emër tjetër për këtë post. Pra, nuk kam zëvendësuar ministrin me një të preferuar timin, por kam kërkuar një emër tjetër prej atij i cili shprehu tradhti të dyfishtë, ndaj qeverisë dhe Policisë së Kosovës. Të jesh ministër i Brendshëm dhe të kërkosh kokë më vete gjendje të jashtëzakonshme, do të thotë ta përçmosh policinë që ka kryer shumë mirë detyrat. Në Polici vazhdon orari 8-orësh. Policia së pari nuk është në gjendje të jashtëzakonshme. Pse po u dashka të shpallet gjendja e jashtëzakonshme? Kapacitetet e Policisë së Kosovës janë shumë më të mëdha se ato që i përdorim sot. Kjo është e pashembullt. Është tradhti ndaj Policisë së Kosovës që e ka kryer punën shkëlqyeshëm duke i kryer e zbatuar detyrat dhe urdhrat që i janë vënë asaj. Sa ishte ministër, ish-ministri, vetëm një mbledhje e ka mbajtur për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Vetëm një mbledhje në Ministri. Tradhtia e tij e dyfishtë, ndaj Qeverisë ku ishte anëtar, dhe ndaj Policisë në krye të së cilës u vu, nuk mund të tolerohej”, deklaroi kryeministri i Kosovës.