Kurti vazhdon vizitën në Gjermani, as sot s’ka takim për koalicionin

E publikuar: 10/12/2019 11:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

As sot nuk do të ketë takim në mes të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës kanë konfirmuar burime brenda dy subjekteve për Gazetën Express. Në anën tjetër, për  të thirrur seancën konstituive presidentit i kanë mbetur edhe dy javë kohë.

Dje u bënë një javë nga takimi i fundit në mes të krerëve të VV-së e LDK-së, që u mblodhën për të vendosur për koalicionin qeverisës, takim ky që rezultoi pa marrëveshje.

Që nga e hëna që lamë pas, e deri më sot, përveç deklaratave, nuk është planifikuar të mbahet ndonjë takim që mund të çojë drejt përfundimit të marrëveshjes për koalicion. As të martën, sipas burimeve të Expressit nuk do të takohen Kurti e Mustafa.

Madje, lideri i Vetëvendosjes ende nuk është kthyer nga Gjermania, aty ku është diku qëndruar për vizitë zyrtare.

Gazeta Express dje gjatë ditës ka raportuar se në Berlin është duke qëndruar edhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, që është ftuar nga institucionet gjermane për të marrë pjesë në konferencën “Kosovo after the elections: A political earthquake and its cosequences”.

Nga LDK madje konfirmuan për gazetën se temë e diskutimit do të jetë edhe koalicioni me VV-në, por, që një takim Kurti Mustafa në Berlin, sipas burimeve nuk është planifikuar të ndodhë.

Dje gjatë ditës, zyrtarë të VV-së kanë konfirmuar që marrëveshjen me LDK-në do ta nënshkruajnë gjatë kësaj jave. Derisa ka folur rreth formimit të qeverisë së re, edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se kjo javë do të jetë vendimtare.

Kujtojmë që bisedimet VV – LDK kanë ngecur kur në tavolinë të diskutimit u vendos pozita e presidentit që do të pasojë Hashim Thaçin, post ky i kërkuar nga Isa Mustafa. Mustafa zgjodhi i pari edhe MPB-në, ministri që kishte qenë premtim elektoral i VV-së.

Pikërisht pozita e presidentit kishte qenë arsye se pse javën e kaluar nuk u arrit marrëveshja e premtuar e koalicionit, që u tha se do të nënshkruhet 72 orë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Kjo ‘mosmarrëveshje’ do të pasonte pastaj me akuza në distancë në mes të anëtarëve të të dy partive. U bë e ditur se as VV e as LDK-ja nuk kanë hequr dorë nga kushtet e tyre. LDK vazhdon të insistojë për presidentin, e nga VV-ja nuk duan që të bëjnë pazare me këtë temë.

Kujtojmë që kanë kaluar 14 ditë prej kur KQZ ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor.

Derisa LDK e VV po synojnë të formojnë koalicionin qeverisës, në çdo kohë mbetet në dorë të presidentit Hashim Thaçi që të thërrasë seancën konstituive.