Kurti thotë se Shpend Ahmeti është i korruptuar

E publikuar: 27/12/2018 22:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rezultatet zgjedhore do të vendosin nëse një duel televiziv mes Shpend Ahmetit e Albin Kurtit, në cilësinë e dy kryetarëve të partive mund të jetë i realizueshëm.

“Unë nuk jam kryetar i Qendrës së Prishtinës, është Arben Vitija”, ka ironizuar Kurti, kur i është përgjigjur ftesës së Ahmetit për debat televiziv.

“Në çfarë cilësie ka thirrur debat. Në cilësinë e kryetarëve të partive a? A e ka ditur atëherë që është pjesë e delegacionit a jo?. Le t’i mbajmë zgjedhjet e kemi vend për debate”, ka thënë ai.

Kurti nuk dyshon se në qeverisjen e Prishtinës mund të ketë edhe korrupsion. Madje, atë e quan vetëm çështje teknike duke qenë se Ahmetit, sipas tij, tashmë i ka humbur fokusi në qeverisjen e kryeqytetit.

Kur është pyetur se si po qeverisë Ahmeti me Prishtinën, Kurti ka thënë se së pari ka mungesë përkushtimi.

“Dhe së dyti, me dëbimin e Arben Vitisë, Nora Kelmendit dhe Yll Rugovës, praktikisht i ka dhënë sinjal edhe mafisë ndërtimore dhe shumë keqbërësve të tjerë se e ka hequr gardën dhe u ka thënë urdhëroni ta bëjmë Prishtinën siç keni ëndërruar ju, e ju ashtu siç e ka programin Vetëvendosje. Unë besoj se ka devijuar dhe kur devijon korrupsioni është çështje teknike”, ka thënë ai.

“Pra po thoni që është i korruptuar”, ka qenë pyetja direkte.

“Po”, ka thënë Kurti.

Tutje ai ka komentuar edhe mesazhet personale mes grupit parlamentar të PSD-së, ku Ahmeti flet për një borxh të Kadri Veselit ndaj tyre.

“Aty bëhet fjalë për një borxh, tash borxhin privat ta lash me votë publike të deputetit, është vepër penale”, ka thënë ai.