Kurti takon Vasfije Krasniqin: Një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë janë dhunimet seksuale

E publikuar: 18/04/2019 13:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me disa anëtarë të kësaj lëvizje kanë takuar Vasfije Krasniqi- Goodman, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ai me këtë rast rast tha se një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë janë dhunimet seksuale të kryera nga forcat e Serbisë.

” Ky krim shpërfaq faktin se Serbia nuk mjaftohej me vdekjen e shqiptarëve. Përçmimi i tyre ndaj nesh nuk kishte të sosur. Aq i rëndë ka qenë ky përçmim sa institucionet e vendit dhe shoqëria jonë e pasluftës nuk ia kanë të dalë të kenë guximin të përballen hapur me këtë dhunë ndaj vajzave dhe grave”.

“Ndërkohë, për asnjë rast të vetëm drejtësia nuk është sjellë në vend dhe asnjë gjykim nuk është dhënë për ata që planifikuan, organizuan dhe kryen dhunimet ndaj grave dhe vajzave në Kosovë. Këtë brengë të drejtësisë rindau Vasfije Krasniqi Goodman. Drejtesia për ta denuar krimin dhe kriminelin ka munguar.
Institucionet e vendit duhet ta marrin guximin dhe ta kenë vullnetin për t’u angazhuar për t’i vendosur kriminelët përballë drejtësisë”.

“Thirrja e Vasfijes është thirrja e 20.000 grave dhe vajzave të dhunuara. Thirrja e Vasfijes është thirrja që i jep zë dhimbjes. Një forcë dhe guxim i jashtëzakonshëm duhet për t’u përballur dhe për t’i dhënë zë dhimbjes, duhet forca dhe guximi i të vërtetës dhe të drejtës.Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet misionin dhe iniciativën e Vasfijes për të sjell drejtësi”./klankosova.tv/.