Kurti takon Hahnin në Bruksel, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

E publikuar: 15/11/2019 20:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Komisionerin e Bashkimit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn.

Kurti ka njoftuar, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, se me Hahnin ka biseduar për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe BE-së po edhe tema të tjera.

Ai gjithashtu ka takuar edhe Zëvendës Drejtoren Menaxhuese për Evropë perëndimore, Ballkanin perëndimor dhe Turqinë në European External Action Service, Angelina Eichhorst.

“Sot, në Komisionin Evropian në Bruksel, takova Komisionerin për Politika të Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, z. Johannes Hahn. Një takim tjetër pata edhe me Zëvendës Drejtoren Menaxhuese për Evropë perëndimore, Ballkanin perëndimor dhe Turqinë në European External Action Service, znj. Angelina Eichhorst”, ka shkruar Kurti.

“Biseduam për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe BE-së, sfidat e qeverisjes sonë të ardhshme sidomos për drejtësi e punësim, raportet e shteteve në Ballkan si dhe për perspektivën e dialogut me Serbinë”, ka bërë të ditur ai.