Kurti Prodhuesve: Ju jeni shtyllë e shoqërisë dhe ekonomisë, nga Qeveria që unë e drejtoj do ta keni vëmendjen maksimale

E publikuar: 19/02/2020 10:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në Konventën e prodhuesve të organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) tha se prodhuesit janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë, të cilët përkundër vështirësive kanë vazhduar të investojnë në Kosovë.

Kurti prodhuesit vendor i ka quajtur shtyllë e shoqërisë dhe ekonomisë, ndërsa premtoi se do ta kenë vëmendjen maksimale të qeverisë që ai udhëheqë.

Kryeministri në Konventën e Klubit të Prodhuesve të Kosovës tha se do ta largojnë tarifën dhe do ta zbatojnë reciprocitetin si bazë mbrojtëse për prodhuesit.

“Parimet e reciprocitetit do të bazohen në CEFTA”, tha Kurti, duke bërë të ditur se tashmë është themeluar Grupi punues për vlerësimin e masave mbrojtëse të reciprociteti dhe sa ta marr rekomandimin do ta vendos.

Kryeministri më tej shtoi se pabarazia dekurajon për garën.

“Ju keni vite që më keni thënë se keni problem në sigurimin e tregut dhe qasjen në financa, por erdhi dita që ta heqim monopolin dhe qasjen në financa. Po ashtu do të lehtësohet qasja në fonde për bujqit”, tha ai.

Shefi i ekzekutivit të vendit tha se investime të huaja ka pak se ka pasur korrupsion dhe kanë frikësuar investitorët potencial.

“Nuk është problem në raportim të korrupsionit se sa në atë se çfarë do të ndodhë”, tha ai.