Kurti: Presidenti të mendojë për datë të zgjedhjeve, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga VV

29.03.2020 14:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kurti: Presidenti të mendojë për datë të zgjedhjeve, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga VV

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se presidenti Hashim Thaçi duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Vetëvendosje.

Sipas tij neni më i rëndësishëm i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për ecjen përpara është ai 82.2: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Kurti ka thënë gjithashtu se kjo do të jetë hera e tretë e situatës së njëjtë në Kosovën e pavarur: kishim mocione të suksesshme të mosbesimit edhe në vitet 2010 e 2017, pas të cilave presidenti shpërndante Kuvendin dhe shpalleshin zgjedhjet e parakohshme.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e tij të plotë, pa ndërhyrje:

Konstitucionalizëm integral, jo voluntarizëm presidencial

Neni më i rëndësishëm i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për ecjen përpara është ai 82.2: “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”. Këtu, folja jokalimtare ‘mund’ nuk është ajo e një mundësie subjektive të zgjedhjes, por e lejes për të proceduar nga një autoritet. Nuk është e rastësishme që në verzionin në anglisht të Kushtetutës sonë, fjala ‘mund’ nuk është ‘can’ por ‘may’. Së këndejmi, neni 82.2 është dispozitë e lejimit dhe jo e përzgjedhjes.

Presidenti i Republikës së Kosovës, në vend se të hutohet me nenin 95 te Kapitulli VI i Kushtetutës (Qeveria e Republikës së Kosovës), duhet të fokusohet në nenin 82 te Kapitulli IV (Kuvendi i Republikës së Kosovës). Njëherazi, togfjalëshat e tij kundërkushtetues të deklaruar publikisht si “qeveri e re” apo “kritere mbizotëruese” nuk ndriçojnë rrugën përpara. Përkundrazi.

Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, nuk kemi garuar se kush do të bëhet kryetar komisioni parlamentar, shef grupi apo kryetar Kuvendi. Partitë kanë garuar me programe qeverisëse dhe me kandidatë për kryeministra. Kontrata legjitimuese me popullin është ndërprerë dhe duhet të rikthehemi tek ai. Porsa të mbarojë pandemia Covid-19 – të cilën duhet ta luftojmë të gjithë bashkë duke mbështetur dhe ndihmuar e jo duke penguar a sabotuar qeverinë në detyrë – ne duhet të zbresim te populli si burim sovraniteti, për zgjedhje të reja, të lira e demokratike.

Ka dallim thelbësor ndërmjet situatës kur kryeministri dorëhiqet nga posti i tij dhe asaj kur Kuvendi voton mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Në rastin e parë kemi mungesë vullneti ose aftësie të vetëdeklaruar nga kryeministri i cili largohet. Në rastin e dytë qeveria dhe kryeministri janë në detyrë, nuk ka vakuum deri në zgjedhjet e reja, andaj edhe stabiliteti e funksionimi shtetëror nuk cënohen. Pra, në rastin e dytë e që është ky yni tani, nevojitet Kuvend i ri për qeveri të re.

Kjo do të jetë hera e tretë e situatës së njëjtë në Kosovën e pavarur: kishim mocione të suksesshme të mosbesimit edhe në vitet 2010 e 2017, pas të cilave Presidenti shpërndante Kuvendin dhe shpalleshin zgjedhjet e parakohshme. Për më tepër, në vitin 2017 ishte po ky President që është tani, dhe, në atë kohë, ai nuk kishte dilemë se cila ishte rruga e duhur pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit.

Kushtetutëdhënësi e ka bërë të qartë se një mocion mosbesimi i suksesshëm prodhon zgjedhjet dhe jo një qeveri tjetër, me faktin se nuk ka paraparë asnjë procedim tjetër në Kushtetutë, për dallim nga dorëheqja, pas së cilës Kushtetuta ka paraparë që Presidenti fillon konsultimet me partinë apo koalicionin fitues.

Mocioni i mosbesimit i 25 marsit 2020 ishte i llojit destruktiv: synonte rrëzimin e qeverisë. Kaq. Nuk ishte mosbesim konstruktiv me ç’rast Kuvendit do t’i paraqitej njëkohësisht edhe një ofertë e re për qeveri të ardhshme. Vota PËR me 25 mars 2020 ishte asgjë më shumë sesa votë KUNDËR. Si e tillë ajo shkëputi lidhjen pushtet-popull. E vuri qeverinë në pyetje në mënyrën ku populli (dhe jo Kuvendi) jep përgjigje. Kuvendi e rrëzoi qeverinë në Kuvend. Qeveria në detyrë qeveris.

Përfundimisht, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë. Sepse ai duhet ta zbatojë Kushtetutën e jo ta interpretojë atë.

Komentet

Komente

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!


Vuçiq paralajmëron vazhdimin e dialogut, thotë se shqiptarët e serbët duhet të kenë raporte të mira

Vuçiq paralajmëron vazhdimin e dialogut, thotë se shqiptarët e serbët duhet të kenë raporte të mira

Më 15 qershor fluturimi i parë nga Austria në Kosovë

Më 15 qershor fluturimi i parë nga Austria në Kosovë

Maqedoni e V.: Të gjithë duan zgjedhje, por nuk pajtohen për datën

Maqedoni e V.: Të gjithë duan zgjedhje, por nuk pajtohen për datën

Dy vëllezërit nga Gjilani kanë nevojë për trajtim jashtë vendit

Dy vëllezërit nga Gjilani kanë nevojë për trajtim jashtë vendit

NISMA ende s’i ka emrat e ministrave

NISMA ende s’i ka emrat e ministrave

2500 punëtorë të KEK-ut nënshkruajnë peticion, kërkojnë kthimin e Njazi Thaçit ose protesta

2500 punëtorë të KEK-ut nënshkruajnë peticion, kërkojnë kthimin e Njazi Thaçit ose protesta

Greqia do të rihapë kufijtë për 29 vende

Greqia do të rihapë kufijtë për 29 vende

Abdullahu: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ja mori pushtetin VV-së

Abdullahu: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ja mori pushtetin VV-së

Ish – diplomati serb: Shqiptarët janë të talentuar për politikë, po luajnë lojë të dyfishtë me Amerikën

Ish – diplomati serb: Shqiptarët janë të talentuar për politikë, po luajnë lojë të dyfishtë me Amerikën

Ministra e Financave ndan 10 mijë euro për rindërtimin e shkollës së djegur në Dajac të Malit të Zi

Ministra e Financave ndan 10 mijë euro për rindërtimin e shkollës së djegur në Dajac të Malit të Zi

​Shqipëri, nga 1 qershori hapen plazhet dhe kufijtë tokësorë

​Shqipëri, nga 1 qershori hapen plazhet dhe kufijtë tokësorë

Ky është vendimi që mori UP-ja për afatin e provimeve

Ky është vendimi që mori UP-ja për afatin e provimeve

Meta: Shumë e rëndësishme që në Kosovë të mbizotërojë sjellja evropiane ndaj institucioneve

Meta: Shumë e rëndësishme që në Kosovë të mbizotërojë sjellja evropiane ndaj institucioneve

Paga mesatare në Kosovë 602 euro, nga 2012 u rrit për 39.7 për qind

Paga mesatare në Kosovë 602 euro, nga 2012 u rrit për 39.7 për qind

Policia kërkon ndihmë për arrestimin e këtij personi

Policia kërkon ndihmë për arrestimin e këtij personi

“Vendimi i deputetëve për ta bërë Hotin kryeministër mund të jetë kundër vullnetit tim si qytetar, por është legjitim dhe legal”

“Vendimi i deputetëve për ta bërë Hotin kryeministër mund të jetë kundër vullnetit tim si qytetar, por është legjitim dhe legal”