Kurti: Po shkelet nga pushtete e individë të fortë kodi i humanizmit

E publikuar: 10/12/2019 12:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot në Ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut tha se tragjedia e luftës dhe ato të përditshmet thërrasin me gjithë fuqinë për angazhim të pandërprerë politik, individual e shoqëror kundër shkeljes dhe shkelësve të të drejtave të njeriut në çdo kohë, për çdo çast, pa ndërprerë.

Lideri i VV-së tha se përvoja historike mbi shtatëdhjetëvjeçare, ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë se, ky kod i humanizmit politik, i pranuar botërisht, i përkthyer në të gjitha gjuhët e shkruara të njerëzimit, i botuar e publikuar në miliarda kopje, thyhet, shkelet e nëpërkëmbet nga pushtete e individë të fortë që kanë monopolizuar paranë, dhunën e pushtetin, në institucione shtetërore e parashtetërore dhe jashtë tyre, duke shkaktuar tragjedi njerëzore individuale e kolektive, për çdo ditë të lume në gjithë rruzullin tokësor.

Lexoni të plotë postimin e Kurtit në Facebook:

“71 vjeç është bërë njeriu sot. Sepse e ka ditëlindjen me 10 dhjetor. Sepse sot u mbushën 71 vjet nga miratimi i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Universaliteti është ajo që e kemi të përbashkët. E si njerëz e kemi njeriun, me të drejtat dhe liritë e tij, që nga viti 1948.

Tragjedia njerëzore e shkaktuar nga brutaliteti i pashembullt i imperializmit të shpërfaqura në format më të egra të mohimit të qenies dhe të drejtave të njeriut, fashizmit dhe nacizmit, mblodhi të gjithë dijen, përkushtimin dhe ndjeshmërinë njerëzore, për të garantuar qenien njeri dhe të drejtat themelore të tij. Tragjedia e luftës dhe ato të përditshmet na thërrasin me gjithë fuqinë për angazhim të pandërprerë politik, individual e shoqëror kundër shkeljes dhe shkelësve të të drejtave të njeriut në çdo kohë, për çdo çast, pa ndërprerë.

Përvoja historike mbi shtatëdhjetëvjeçare, ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë se, ky kod i humanizmit politik, i pranuar botërisht, i përkthyer në të gjitha gjuhët e shkruara të njerëzimit, i botuar e publikuar në miliarda kopje, thyhet, shkelet e nëpërkëmbet nga pushtete e individë të fortë që kanë monopolizuar paranë, dhunën e pushtetin, në institucione shtetërore e parashtetërore dhe jashtë tyre, duke shkaktuar tragjedi njerëzore individuale e kolektive, për çdo ditë të lume në gjithë rruzullin tokësor.

Të këqijat në formën e papunësisë, deprivimit ekonomik, përjashtimit shoqëror, mohimit të së drejtës në siguri shëndetësore e pensionale, ndotjes së ambientit, mungesës së ujit të pijshëm e ushqimit, dëbimit me dhunën e hekurit e zjarrit të qindra milionë njerëzve nga shtëpitë dhe atdheu i tyre dhe mohimit të shtetësisë e qenies njerëzore në mijëra kampe refugjatësh anembanë botës, janë përditshmëri trishtuese që ngjajnë për çdo ditë, minutë, sekondë, edhe në këtë çast.

Si njerëz e kemi obligim angazhimin për njeriun si qenie me të drejta dhe liri. Duke përmbushur këtë obligim bëhemi ajo që jemi: njerëz të lirë e të drejtë, Sepse me të drejta dhe liri”.