Kurti përkujton deklaratën famëkeqe të Vuçiqit: Vrisni një serb e ne do të vrasim 100 myslimanë

E publikuar: 20/07/2020 13:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka përkujtuar të hënën një deklaratë famëkeqe të presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Të hënën janë bërë 25 vjet prej se Vuçiq kishte thënë: “Ju bombardoni, vrisni një serb e ne do të vrasim 100 myslimanë. E ta shohim pastaj se a guxon bashkësia ndërkombëtare apo kushdo tjetër të godasë mbi pozicionet serbe, a mund të sillen ashtu me popullin serb”.

Vuçiq para 25 vjetëve ishte deputet i partisë së Vojislav Sheshelit.

Kurti ka shkruar se nëntë ditë para deklaratës së Vuçiqit, njësiti serb “Shkorpionët” pushkatoi në Srebrenicë boshnjakë civilë, të mitur e me duar të lidhura pas shpinës.

“Kjo ngjan nëntë ditë para deklaratës së Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë. Pra vriten jo 100 por mbi 8000 myslimanë, më 10 e 11 korrik 1995. Nëntë ditë më vonë Vuçiqi bëri atë deklaratë. Më 23 maj 2005, Natasha Kandiq ia ka dhënë prokurorisë për krime lufte në Serbi dhe asaj në Hagë këtë video”, ka shkruar Kurti në një postim në “facebook”, ndërsa postimit ia ka bashkuar lidhjet për dy videot, atë të deklaratës së Vuçiqit dhe të krimeve të njësitit famëkeq.

https://www.youtube.com/watch?v=Gk5xOM7ECwI&feature=youtu.be&fbclid=IwAR3oBNqSq-U9lZbgAdLEXBdtBDfh2wcqsfoZQIsalYH3fg9iR5izTngiKps

Ish-kryeministri i Kosovës, Kurti, ka shkruar se gati katër vjet më vonë, më 28 mars 1999, i njëjti njësit serb do të pushkatonte familjet Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë.

Partia e Vuçiqit së fundi ka fituar zgjedhjet në Serbi. Vuçiq udhëhoqi delegacionin e Serbisë në takim me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, në rifillim të bisedimeve mes dy vendeve.