Kurti për vizitë në Gjermani, takon politikanë të landeve Baden-Wuerttemberg dhe Bavari

E publikuar: 10/09/2020 22:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje po zhvillon një vizitë në Gjermani ku është takuar me politikanë të landeve Baden-Wuerttemberg dhe Bavari.

Përmes një njoftimi në Facebook, ish-kryeministri Kurti ka thënë se diskutimet dhe shkëmbimet e ideve në nivelin e landeve janë tejet të dobishme pasi që politikat socio-ekonomike në Gjermani, përfshirë modelin dual të edukimit, planifikohen dhe zhvillohen në nivelin e landeve.

Ky është postimi i tij i plotë:

Gjatë vizitës në Gjermani takuam edhe politikanë të landeve Baden-Wuerttemberg dhe Bavari. Me Ministrin Franz Untersteller (Buendnis 90/ Die Gruenen) biseduam mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e politikave të energjisë dhe të mbrojtjes së ambientit.

Me kryetaren e grupit parlamentar Natascha Kohnen (SPD) patëm mundësinë të bisedojmë mbi strategjinë për sistemin dual në edukim që ndërlidh tregun e punës me arsimin profesional.

Me rastin e vizitës tonë në parlamentin bavarez u mirëpritëm nga zv. Kryeparlamentari Karl Feller (CSU), i cili me përvojën e tij mbi dy dekadëshe në politikat e arsimit u zotua për ndihmën e tij në këtë fushë për shtetin e Kosovën.

Këto diskutime dhe shkëmbime të ideve në nivelin e landeve janë tejet të dobishme pasi që politikat socio-ekonomike në Gjermani, përfshirë modelin dual të edukimit, planifikohen dhe zhvillohen në nivelin e landeve.