Kurti në përplasje me Vuçiqin, kërkon dialog me parime dhe pa diskutime për kufij

E publikuar: 15/02/2020 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kundërshtues ndaj mënyrës së si është zhvilluar dialogu Kosovë – Serbi, është shfaqur kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e tij të parë ndërkombëtar jashtë vendit.

Nga tryeza e debatit në kuadër të konferencës së sigurisë në Mynih të Gjermanisë, ku nuk lejohet publikimi i përmbajtjes së diskutimeve, ka rrjedhur një video-incizim nga fjalimi i Kurtit.

Përballë presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, Kurti është shprehur kundër mundësisë së ndryshimit të kufijve, derisa ka thënë se nuk i do presidentët afër hartave, raporton KTV.

“Gjëja e fundit, por edhe më e rëndësishmja, ne duhet të jemi të gatshëm për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet t’i kemi parasysh tri parime për t’i shëruar plagët e planit të dështuar. Duhet ta përgatisim mirë, me parime të mira dialogun e ardhshëm në rajonin tonë, në veçanti atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E para: nuk ka marrëveshje pa dialog, e dyta: nuk ka dialog me harta, dhe e treta është pa presidentë rreth hartave”, ka deklaruar fillimisht Kurti.

Ashtu siç e ndihmuan Kosovën të çlirohet nga Serbia, Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që tani ta ndihmojnë Serbinë të çlirohet nga Kosova.

“Pothuajse të gjithë prej jush na ndihmuat që 20 vjet më parë Kosova të çlirohet nga Serbia. Tani mendoj e ka ardhur koha që të ndihmohet Serbia për t’u çliruar nga Kosova. Pra, pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, duhet të bëhet çlirimi i Serbisë nga Kosova”, ka shtuar më tej Kurti.

Pas këtyre deklaratave, fjalën e ka kërkuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se duhet t’i reagojë Kurtit, por atij nuk i është mundësuar një gjë e tillë.

Prapa dyerve të mbyllura, sipas burimeve të “Deutsche Welles”, debati është karakterizuar me atmosferë të nxehtë.

Ky medium gjerman ka raportuar se Vuçiqi ka kundërshtuar deklarimin e Kurtit me fjalët se “Kosova ende është pjesë e Serbisë sipas Rezolutës 1244 dhe se “Kosovën ende nuk e kanë njohur gjysma e shteteve anëtare të OKB-së dhe më shumë se gjysma e popullatës botërore”.

Pas takimit, reagimin e Vuçiqit e shpjegoi kryeministri kosovar, Albin Kurti.

Kryeministri kosovar ka kërkuar që shtetet e Ballkanit, në të njëjtën kohë të bëhen pjesë e BE-së, derisa ka kundërshtuar edhe idenë e Minishengenit ballkanik.