Kurti në Malishevë: Prilli është muaji vendimtar në betejën tonë me koronavirusin

E publikuar: 09/04/2020 11:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë gjatë vizitës në Malishevë se në këtë komunë nuk ka ardhur si kryetar i partisë politike dhe se të gjithë duhet të bëhen bashkë, në betejën me koronavirusin. Ai ka ka thënë se prilli është muaji vendimtar në këtë betejë.

“Jemi të gjithë bashkë. Të përqendrohemi në luftimin e kësaj të keqe duke e ditur se nuk kemi përvojë në këso situata, por mendoj që po ia dalim mirë. Veçse prilli është muaji vendimtar”, ka thënë Kurti.

Kurti ka qëndruar në Malishevë paraditen e së enjtes. I shoqëruar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrja e Administratës Publike dhe Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi, ai është pritur nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Begaj, në prononcimin për gazetarë pas takimit me kryeministrin në detyrë ka thënë se Malisheva ndodhet në momentet më të vështira të situatës së lidhur me infektimet.

“Besoj se bashkëpunimi ynë do të rritet dhe se Qeveria e Kosovës do ta ketë një përkujdesje më të madhe për Malishevën. Po pres një përkrahje të fuqishme”, ka thënë ai.

E Kurti ka thënë se Malisheva duhet të ndihmohet nga Qeveria, por se në këtë Komunë duhet të shtohen masat e kufizimit.

“Edhe kufizimet e Kosovës janë të mëdha. E kemi sektorin e shëndetësisë në nivel jo të kënaqshëm dhe popullsinë e varffëer dhe duhet të bashkëpunojmë maksimalisht, në mënyrë që sa më pak të shpërndahet COVID-19. Prandaj, do të na duhet t’i shtojmë masat e kufizimit. Për këtë gjë, kryetari Begaj dhe ministri Vitia do të jenë në kontakt të vazhdueshëm. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve t’i kufizojnë lëvizjet dhe të qëndrojnë në shtëpi”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se komuna e Malishevës duhet t’i respektojë të gjitha masat e Qeverisë dhe udhëzimet e ekspertëve, duke paralajmëruar më shumë ndihmë për këtë komunë, por duke kërkuar në të njëjtën kohë masa më rigoroze, “në mënyrë që të mos ketë ngritje më të theksuar të lakores së shpërndarjes”.

“Kjo është e mundshme nëse investojmë dhe angazhojmë maksimalisht në parandalim”, ka thënë ai.

Nga 224 të infektuar në Kosovë, 66 janë nga komuna e Malishevës.