Kurti: Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë

E publikuar: 17/05/2020 16:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka reaguar për shembjen e Teatrit Kombëtar, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke thënë se ne duhet te jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës shqiptare.

Me këtë rast, Kurti ka përshëndetur dhe mbështetur artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar.

“Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional. Arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli”.

“Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave. I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë”, ka shkruar Kurti në Facebook.