Kurti: Luan Haradinaj figura e përkryer e viteve ’90, student në Shqipëri dhe luftëtar në Kosovë

E publikuar: 06/05/2020 15:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se heroi i kombit, Luan Haradinaj me veprimtarinë e tij të armatosur kundër pushtuesit, mbajti të ndezur të vërtetën e rezistencës që përshkon popullin tonë.

Me rastin e 23-vjetorit të rënies heroike, kryeministri në detyrë Kurti tha në një postim në Facebook, se Haradinaj është një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe po ashtu një prej themeluesve të mbështetjes logjistike të ardhur prej Shqipërisë.

Shkrimi i plotë

“Luan Haradinaj është edhe figura e përkryer e viteve ’90. Student në Shqipëri dhe luftëtar në Kosovë, sa herë që vinte prej Tiranës, nuk mund të kthehej sërish atje pa kryer së paku një aksion kundër forcave pushtuese serbe. Numri i aksioneve individualë të Luanit qe tashmë dyshifror. Ai është studenti-luftëtar që ka mbajtur gjallë dhe lavdishëm Kosovën. Ai ra dëshmor ndërsa ishte ende student; figurë e luftëtarit që mbetet përjetshëm i tillë; çereku i shekullit që përmbushet lavdishëm. Rexhep Selimi ka dhënë përkufizimin poetik për heroin Luan Haradinaj:

Mbi ta u murose urë
pushove hapërimin
ta vigjëlosh dheun
mbi atë gur”.

Më 6 maj 1997, Luan Haradinaj, teksa vinte prej Shqipërisë mes bashkëluftëtarëve Fehmisë, Xhevës, Abedinit dhe luftëtarëve të tjerë, ra në një pritë të forcave serbe në Qafëmullar.