Kurti këmbëngul se Lista Serbe nuk do të përfshihet në qeverinë e re

E publikuar: 24/10/2019 20:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk është obligim kushtetues që Lista Serbe të jetë në qeveri.

Megjithatë, Kurti, partia e të cilit ka dalë e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ka paralajmëruar se ministër serb do të ketë në kabinetin e ri.

“Nuk ka obligim kushtetues që ta kemi në koalicion Listën Serbe, por jemi të vetëdijshëm që duhet ta kemi së paku një ministër nga komuniteti serb dhe obligimin kushtetues do ta përmbushim, veçse koalicioni qeveritar nuk do të jetë kurrsesi i varur nga shantazhet e cilitdo krah e cilësdo ngjyrë, se lëre më të cilësdo etni”, ka thënë Kurti në RTK.

Ai ka folur edhe për bisedimet me LDK-në për koalicionin.

“Jemi gjithnjë e më afër, larg nuk kemi qenë asnjëherë. Grupet tona punuese janë duke diskutuar për harmonizimin programor dhe projektet e përbashkëta qeveritare që do i kemi, por njëkohësisht edhe për ndarjen e përgjegjësive, funksioneve në qeverisjen tonë të përbashkët. Populli e ka vendosur që opozita e deridjeshme do të jetë qeveria e nesërme dhe njëkohësisht ia ka dhënë një përparësi Lëvizjes Vetëvendosje dhe mua për këtë qeveri”, ka thënë Kurti.

“Synimi ynë është që qeveria jonë të jetë një koalicion sa më i madh me numra, por natyrisht që hapi i parë dhe më i rëndësishëm është ai i marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së dhe vetëm më pas ne do të vendosim sërish bashkë se çka më tutje, por një pjesë të madhe të punës tashmë e ka kryer populli i Kosovës. Ne nuk do ta kemi qeverinë të varur nga kushdo që përpiqet që të faktorizohet për vete, duke penguar qeverisjen”, ka deklaruar ai.