Kurti ka edhe dy falënderime publike, thur elozhe për Vjosa Osmanin, kështu e quan

E publikuar: 15/03/2020 16:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, përmes faqes së tij zyrtare Facebook, ka shprehur dy falënderime.

Njëri nga falenderimet e tij kishte të bënte me qëndrimin e deputetëve mbrëmë për mbi 10 orë për ta miratuar ligjin për buxhetin 2020.

Ndërsa tjetri, për organizimin dhe mbarëvatjen e mbledhjes së djeshmë të jashtëzakonshme nga Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Ky është postimi i plotë:

Dy falënderime

Qëndrimi i deputetëve për mbi dhjetë orë në Kuvend për ta miratuar ligjin për buxhetin 2020 dëshmoi përgjegjësi të lartë përballë situatës së pandemisë që ka prekur tashmë sidomos kontinentin tonë. I falënderoj deputetët e LDK-së, ata të pakicave dhe të VETËVENDOSJE!-s, për përkushtimin dhe mbështetjen. Në veçanti, i falënderoj deputetët me probleme shëndetësore, prej z. Fetah Rudit në karrocë invalidore e deri te z. Hatim Baxhaku i operuar në zemër para vetëm një muaji e gjysmë.

Organizimi dhe mbarëvajtja e mbledhjes së djeshme të jashtëzakonshme nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Vjosa Osmani, ishte i jashtëzakonshëm. Nga kontrolli mjekësor në hyrje të sallës gjer te ndjekja e përpiktë e hollësive procedurale. Ishte kjo një ditë e gjatë me sukses të plotë. Miratimi i buxhetit vjetor është ndër hapat më të rëndësishëm për të përballuar sfidat aktuale, e për të zbatuar programin e qeverisë së ndryshimit. Të falemnderit Kryeparlamentare.