Kurti ironizon në Fushë Kosovë: LDK nuk është Lidhje Demokratike, por lodhje burokratike

E publikuar: 30/09/2017 22:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje dhe Avni Zogiani kanë shumë punë për të bërë në Fushë Kosovë. Sikur në zgjedhjet e 11 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje do të dalë subjekti i parë fitues në këtë komunë. Për këtë i kemi njerëzit e duhur për asamble dhe njeriun më të përshtatshëm për kryetar.

Kështu tha kandidati i kësaj partie për Komunën e Fushë Kosovës, Avni Zogiani, gjatë prezantimit të kandidatëve për asamble të Fushë Kosovës, ku morën pjesë Albin Kurti, Liburn Aliu, Shqipe Pantina dhe vetë kandidati për kryetar, Avni Zogiani.

Deputetja Pantina u shpreh se përvoja e denoncimit dhe vendosmëria e Avni Zogianit janë garanci për punën e tij në shërbim të qytetarëve. Ajo ftoi gratë e vajzat për t’u bërë pjesë e ndryshimit, si dhe rininë dhe profesionistët sipas kategorive, për t’u bërë pjesë e ekipeve të ndryshimit të qeverisjes.

Ndërkaq, deputeti Liburn Aliu tha se ngado në Kosovë po vërehet vala e ndryshimit që po vjen.

“Modeli i qeverisjes së mirë në Prishtinë do ta ndjekë edhe Fushë Kosovën e cila ka një kandidat të palodhshëm, të dijshëm e të guximshëm”, tha Aliu, duke shtuar se sikurse Avniu që zotohet për prioritetet qeverisëse, njëjtë edhe ne të organizatës zotohemi se nuk do ta lëmë vetëm atë

Albin Kurti tha se me Avni Zogianin kryetar merr fund simulimi dhe fillon stimulimi për arsim e shëndetësi.

Duke folur për probleme në secilën fushë, Kurti e krahasoi Fushë Kosovën me Prishtinën siç ishte para qeverisjes së Vetëvendosjes. E, me subjektet e tjera garuese ironizoi, e veçanërisht me LDK-në që qeverisë komunën e Fushë Kosovës, për të cilën tha se “nuk është Lidhje Demokratike, por lodhje burokratike”.

Kandidati për kryetar, Avni Zogiani, u zotua se do t’i ndryshojë, përmirësojë e transformojë fushat që janë të braktisura aktualisht.

Kultura është e harruar, arsimi i braktisur, shëndetësia në mjerim, infrastruktura e ngufatur – ishin disa nga konstatimet që i dha për gjendjen aktuale. E për qeverisjen e tanishme, ai tha se është aq e keqe dhe se “është fati ynë që kemi zgjedhje dhe e kemi mundësinë për ta ndryshuar”.

Për listën garuese për asamble tha se do t’i shërbejnë jo vetëm votuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, por të gjithë qytetarëve të Fushë – Kosovës.