Kurti e kritikon Kushtetutën në ditën e saj, por thotë se do i bindet vendimit për kufizimin e lëvizjes

E publikuar: 09/04/2020 13:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë disa fjalë për Kushtetutën, në ditën e aktit më të lartë juridik të shtetit të Kosovës.

Kurti në një postim në Facebook, ka thënë se Kushtetuta është ajo që i paraprinë shtetit, duke qenë “tavani dhe dyshemeja e qeverisjes demokratike”.

Ai në këtë postim ka kritikuar formën e hartimit të Kushtetutës, për të cilën thotë se lë shumë për të dëshiruar

“Kushtetuta e shtetit i paraprinë pushtetit, ajo është si dyshemeja ashtu edhe tavani i qeverisjes demokratike dhe i funksionimit e i rregullimit institucional, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë. Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Kurti, që doli se shkeli Kushtetutën me vendimin për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, ka thënë po ashtu që do ta respektojë vendimin e Kushtetueses, ashtu që pas 13 prillit të njëjtat do të shfuqizohen.

“Megjithëkëtë, kushtetutshmëria është vlerë që duhet respektuar përditë përveçse tekst betimi që shqiptohet një herë. Andaj sot me 9 prill shënojmë ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në përvjetorin e saj të dymbëdhjetë. Andaj do ta respektojmë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës sonë. Natyrisht, gjithmonë duke përmbushur obligimin tonë për mbrojtur deri në maksimum jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe mirëqenien ekonomike të bizneseve dhe punëtorëve të vendit”, ka shkruar Kurti.