Kurti: Dokumenti i Haradinajt, rilegjitimim i pranisë së Serbisë në Kosovë

E publikuar: 18/12/2018 07:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rilegjitimim të pranisë funksionale të Serbisë në Kosovë e konsideron Lëvizja Vetëvendosje, Marrëveshjen Gjithëpërfshirës të propozuar nga Qeveria javën e kaluar.

Një ditë pas publikimit në “Koha Ditore”, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nëpërmjet një konference për media i ka dhënë kritika propozimit të Qeverisë, duke filluar nga mënyra si është dërguar dokumenti në adresë të tij nga ana e kryeministrit Haradinaj.

Materialin me 30 faqe ka thënë ta ketë pranuar vetëm në gjuhën angleze.

“Qartazi nuk e kishte me neve e për neve. Por për ambasadorët e Quintit dhe me ta. Nuk e miratoi në Qeveri, nuk e solli në Kuvend, por e diskutoi me ambasadorët. Në këtë material 30 faqesh, qartazi flitet për parime, por qasja është joparimore”, ka thënë Kurti, i cili u ka dhënë vërejtje 16 kapitujve të marrëveshjes.

Sipas tij, fjala reciprocitet nuk figuron askund në këto 30 faqe, duke e cilësuar si qasje me gjuhën e ndërmjetësuesit.

“Nëse do ta kisha lexuar pa autorin në “cover letter”, në letrën e parë, në fletën e parë, atëherë do të kisha menduar se këtë material e ka shkruar ndonjë shtet, i cili nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, e as ndonjë shtet që nuk na njeh neve, se lëre më këtë ta bëjë Qeveria e Kosovës siç është rasti tani”, ka theksuar Kurti. Sipas tij, më shumë se 100 pika fillojnë me shprehjen “palët”, “por në përmbajtje shumica dërrmuese e obligojnë Kosovën”. Ai ka thënë se rreth 50 pika apo paragrafë shprehimisht i adresohen Kosovës dhe vetëm disa sosh, “butësisht Serbisë”. Sipas Kurtit, problemi kryesor i mënyrës së bërjes së këtij dokumenti është që ai parasheh themelimin e një morie trupash, e komisionesh e ekipesh të përbashkëta midis Kosovës e Serbisë, “që në fakt e rilegjitimon praninë funksionale të Serbisë në Kosovë”.