Kurti: Deklarata e Thaçit është shpifje e gënjeshtër e tij, ku është prokurori i shtetit?

E publikuar: 28/05/2020 11:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti iu është përgjigjur sot  pas vizitës në Komunën e Prishtinës deklaratës së presidentit të shtetit, Hashim Thaçi që tha se i pari i qeverisë së bashku me vartësit e tij kanë shkuar për tri ditë me radhë në dhomën e përgjimeve në PTK, raporton Gazeta Express.

Kurti tha deklarata e Thaçit është shpifje e gënjeshtër e tij, derisa, shtoi se për këtë çështje i njëjti do të duhej të merret në pyetje nga prokurori i shtetit.

“Ato janë gënjeshtra, shpifje, problemi me gënjeshtarët është që nuk mund të gënjejnë një herë, duhet të gënjejnë përditë, disa herë në ditë. Të gjitha ato shpifje për neve besoj që nuk do të duhej të ishin vetëm pyetjet tuaja për mua, po edhe pyetjet e prokurorit të shtetit për presidentit”, tha ai, derisa përmendi edhe aferën “Pronto”

“Duket se këtyre protagonistëve të aferës “Pronto” ju ka ngelur mendja te përgjimet atëherë kur e ushtronin italishten e filmave mafioz dhe tash besojnë që ata me të cilët nuk pajtohen janë duke u marrë me imagjinatën e tyre, po e theksoj edhe njëherë të mos humbin kohë me ta.

Dëshirat e tyre po i përshkruajnë si fakte, ata kanë dëshirë të hyjnë në dhomën e përgjimeve, por ato nuk qëndrojnë”, ka shtuar i njëjti./