Kurti: Çdo ligj, rregullore, vendim do të udhëhiqet nga parimi i barazisë gjinore

E publikuar: 10/03/2020 16:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në aktivitetin e prezantimit të lëndës së re “Gjinia dhe Ekonomia” si pjesë e kurrikulës së Fakultetit Ekonomik, pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit të Agjencisë për Barazi Gjinore me Universitetin e Prishtinës, e cila u mbajt për nder të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, me ç’rast u dhuruan edhe një fond librash për studentët e këtij fakulteti.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se është tejet e rëndësishme që Fakulteti Ekonomik ka një katedër të veçantë që quhet “Ekonomiksi” dhe përmes SIDA-s është përgatite kurrikula dhe është akredituar lënda që nga viti tjetër tashmë do të fillohet me programin master me lëndën “Gjinia dhe Ekonomia”.

Duke folur për rolin e gruas, kryeministri Kurti tha gratë tek ne e kanë shkallën më të lartë të diplomimit në Kosovë, por kanë shkallën më të ulët të pjesëmarrjes në tregun e punës, prandaj, padrejtësinë e kanë më të pranishme dhe sigurisht se e ndjejnë më shumë.

“Askush nuk mund të pretendojë se gratë janë jashtë ekonomisë. Madje as jashtë ndonjë fushe tjetër të rëndësishme jetësore. Ato janë jashtë punësimit, por nuk janë duke pushuar. Janë duke punuar brenda dhe jashtë shtëpisë, janë duke e menaxhuar e drejtuar të gjithë shpenzimet e familjes dhe kjo nuk është një punë e lehtë me kushtet tona”, tha kryeministri Kurti, duke theksuar se nuk mund të ecim përpara pa zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashur studentë,

Të nderuar profesorë,

E nderuara znj. Edi Gusia, kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore në Kryeministri,

I nderuari Rektor i Fakultetit Ekonomik, prof. But Dedaj,

Shkëlqesi ambasadore e Suedisë, znj. Hernmarck,

E nderuara znj. Idrizi,

I nderuari profesor dhe zëvendëskryeministër Avdullah Hoti,

Të nderuar mësimdhënës, zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm

Dua të falënderoj Agjencinë SIDA dhe Ambasadën Suedeze për mbështetjen e vazhdueshme që i bëjnë Agjencisë për Barazi Gjinore, por edhe në promovimin e barazisë gjinore në Kosovë në përgjithësi me grante dhe projekte të cilat janë kritike për shumë organizata të shoqërisë civile, e sidomos ato të grave.

Është tejet e rëndësishme që Fakulteti Ekonomik ka një katedër të veçantë që quhet “Ekonomiksi” dhe përmes SIDA-s është përgatit kurrikula dhe është akredituar lënda që nga viti tjetër tashmë do të fillohet me programin master me lëndën “Gjinia dhe Ekonomia”.

Etimologjia e fjalës ekonomi vjen prej greqishtes, “Oikonomia”, që do të thotë shtëpia, shtëpia si banim, si jetesë, punët e shtëpisë.

Pra, prej aty e ka prejardhjen kjo fjalë. Mirëpo, përderisa kemi shembuj se si nëpërmjet gjinisë e kufizojmë ekonominë te Oikonomia, pra gruaja në shtëpi, ne besojmë që mund ta bëjmë e duhet ta bëjmë saktësisht të kundërtën e kësaj, që përmes gruas, përmes barazisë gjinore, të dalim nga Oikonomia në kuptimin burimor të fjalës, pikërisht tek ekonomia që është ekonomia e shtetit, ekonomia e popullit.

Gratë e kanë tek ne shkallën më të lartë të diplomimit në Kosovë, por e kanë shkallën më të ulët të pjesëmarrjes në tregun e punës.

Prandaj, padrejtësinë e kanë më të pranishme dhe sigurisht që e ndjejnë më shumë.

Askush nuk mund të pretendojë se gratë janë jashtë ekonomisë. Madje as jashtë ndonjë fushe tjetër të rëndësishme jetësore.

Ato janë jashtë punësimit, por nuk janë duke pushuar.

Janë duke punuar brenda dhe jashtë shtëpisë, janë duke e menaxhuar e drejtuar të gjithë shpenzimet e familjes dhe kjo nuk është një punë e lehtë me kushtet tona.

Kushtet e shtëpisë sot janë edhe kushtet punëtoreve. Punësimi është i lidhur fort me punët në shtëpi.

Ata që kanë kohë më të lirë janë duke ndjekur trajnime e duke bërë përvoja të punës.

Ato që janë duke u marrë me rutinën përbrenda shtëpisë janë duke bërë një punë të madhe e cila sot nuk njihet e nuk numërohet fatkeqësisht. Pra, janë duke ua mundësuar burrave të familjes kohën e lirë për vete. Janë duke ua mundësuar shpesh zhvillimin. E kësisoj edhe punësimin.

Ndërkaq ato që kanë një punë e mbajnë me vështirësi. Për shkak të pushimit të lindjes shumë punëdhënës diskriminojnë gratë duke favorizuar burrat në punë sepse e dinë se gruaja do të mungojë. Prandaj, duhet që ligjet tona të sjellin barazi në pushimin prindëror se gjatë lindjes do të mungojnë, përkatësisht do të jenë të pranishëm, njësoj si babai ashtu edhe nëna dhe vetëm asisoj rritet barazia në punësim.

Shifrat e statistikat nuk shpjegohen vetë. Ato duhet t’i zbërthejnë gratë. E vërteta e tyre duhet të mësohet e të përsëritet. Mbi 80% e grave i kemi pasive në treg të punës, kjo është alarmuese sepse ato janë potencial i pashfrytëzuar ekonomik.

Ne nuk mund të ecim përpara pa zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Pa barazi gjinor i humbasim të drejtat e njeriut, pa barazi gjinore e humbasim barazinë shoqërore, barazinë sociale. Pa barazinë gjinore e humbasim demokracinë. Demokracia është sundimi i shumicës, është vullneti i shumicës, po burrat nuk janë shumica. Në fakt, gratë, pleqtë dhe fëmijët janë shumica.

Nëse sundojnë burrat, do të thotë që s’kemi demokraci, sepse burrat janë pakica, po jo vetëm që i humbim të drejtat e njeriut dhe barazinë shoqërore, dhe demokracinë pa barazi gjinore, po e humbim edhe zhvillimin e vendit sepse do të punojmë pa gjysmën e kapitalit njerëzor.

Pjesëmarrja e grave në treg të punës, ju siguron atyre pavarësi dhe e shtron rrugën drejt lirisë, në të njëjtën kohë ajo është matësi i vërtetë i zhvillimit ekonomik e i progresit shoqërorë.

Shumë hulumtime tregojnë që ka një shpërputhje të shkathtësive që ofrohen dhe atyre që kërkon tregu, kjo pa dallim gjinie. Por, këto shpërputhje mes ofertës dhe kërkesës, dalin edhe më shumë në pah kur i kategorizojmë në gjini. Gratë janë dukshëm më shumë se burrat të nën-përfaqësuara në ekonomi.

Duhet bërë një sërë rregullimesh që janë parakusht i pjesëmarrjes së grave në ekonomi si për shembull lirimi i grave nga përgjegjësitë familjare dhe eliminimi i barrierave sikurse rregullimi i pushimit prindëror, kujdesi për fëmijët (çerdhet publike) dhe të moshuarit (shtëpi kujdesi për pleq).

Këto janë disa hapa drejt ndërtimit të një sistemit të ri ekonomiko-politik, në të cilin sigurisht që gjinia nuk përbën bazë për shfrytëzim.

Me Programin e Qeverisë sikurse fondi i ekselencës dhe fondi për të rinjtë ndërmarrës dhe me ndihmën e partnerëve sikurse Ambasada Suedeze dhe SIDA dhe me punën e Agjencisë për Barazi Gjinore, por edhe të gjitha institucioneve të tjera, barazinë gjinore do ta bëjmë temën kryesore e cila më tej bëhet pjesë e secilës politikë publike.

Çdo ligj, rregullore, vendim e politikë publike do të udhëhiqet nga parimi i barazisë gjinore.

Ekonomia ka perspektivë gjinore, prandaj kjo lëndë është tejet e rëndësishme dhe do të mbështetet nga Qeveria jonë, nga Qeveria juaj./Infosot/