Kurteshi: Qëllim primar kemi kthimin e dinjitetit të qytetarëve

E publikuar: 18/10/2017 22:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i Vetëvendosjes për Gjilanin, Sami Kurteshi, që dikur ka ushtruar funksionin e Avokatit të Popullit ka treguar se futja në këtë garë për të është një sfidë e madhe.

“Vërtetë është një prej sfidave të mia jetësore, funksioni i Avokatit të Popullit ka qenë funksionin i fundit që kam pasur, kam përvojë 40 vjeçare politike, kam edhe arsimimin adekuat politik edhe përvojën adekuate politike”.

“Qëllimi edhe i imi edhe i Vetëvendosjes është ndryshimi, që dëgjohet nga qytetarët dhe çdokush që bisedoj, ndryshimi që duhet t’i vë fund degradimit të fushave të jetës edhe të Anamoravës, edhe Gjilanit, edhe Kosovës”.

“Është edhe përkushtim moral ndaj qytetit ku jam lindur e rritur”.

Kurteshi në Magazina Lokale në Klan Kosova ka paraqitur platformën e tij për qytetin e Gjilanit.

“Platforma ynë ka të bëjë me ndryshim për degradimin total që i është bërë komunës, nga skanimi që i kemi bërë komunës është konstatuar një degradim i jetës në Gjilan”.

“Qëllim të parë kemi kthimin e dinjitetit të qytetarëve, punësimi do të bëhet sipas meritës profesionale, nuk do të bëhet me përkatësi partiake, as me të njofshëm e as me telefon”.

“Arsimi është prioritet, me laboratorë, me mjete didaktike, me ndërtimin e çerdheve, me ofrimin e shujtave. Do ta kthejmë librin edhe edukatën në arsimin e Gjilanit që është shkatërruar krejtësisht, ashtu si edhe do të mundësojmë transportin e fëmijëve që udhëtojnë nga larg”.

“Tek kultura, do të bëjmë depolitizimin e kulturës dhe do ta kthejmë tek populli, do të rindërtojmë shtëpitë e kulturës të shkatërruara”.

“Për shëndetin, do ta kthejmë shëndetin te populli, e jo shëndetësi sa për sy e faqe, riaktivizojmë ambulancat dhe qendrat”.