Kur PDK do t’ia japë votat VV-së për rrëzimin e Hotit? Tregon Ariana Musliu-Shoshi

E publikuar: 30/09/2020 22:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje po thotë se Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka seriozisht rrëzimin e Qeverisë Hoti dhe për këtë po gjen arsyetime.

Por, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, thotë se do t’ia japin votat në një moment të caktuar, njofton Klan Kosova.

“Zgjedhjet patjetër se janë zgjidhje. Ne si PDK jemi opozitë dhe atëherë kur e shohim se është e nevojshme të kemi mocionin e Vetëvendosjes, ne aty do të japim edhe votat tona. Sidoqoftë, nëse Qeveria është stabile ne mund të vazhdojmë edhe kështu”.

Për marrëveshjen në Washington që nënshkroi kjo Qeveri, Musliu-Shoshi akuzoi edhe për mostransparencë.

Derisa ajo po këmbëngul se PDK ka një propozim më të mirë rreth formimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, si dhe se është një parti për t’u marrë shembull për opozitarizëm.

“Joserioziteti është shumë më i dëmshëm kur vjen nga pozita, siç i kemi parë edhe së fundi, qoftë në dialog, qoftë në çështje të tjera kur s’kanë konsensus të brendshëm në koalicion. Ne si PDK jemi të vetëdijshëm që Kosova ka nevojë për institucione stabile, sidomos në kohën e pandemisë, krizën ekonomike, Gjykatën Speciale, dialogun dhe çështje të tjera të rëndësishme, me të cilat Kosova është duke u përballë tani. PDK ka qenë mjaft konstruktive dhe ka dhënë shembullin se si një opozitë duhet ta luajë rolin e vet karshi interesave të qytetarëve tonë. Ne e kemi votuar buxhetin dhe kur u bë rishikimi i tij, po ashtu votuam edhe për marrëveshjet ndërkombëtare”.

“PDK është mjaft konstruktive edhe tash për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Tjetër është që nga opozita nuk kemi qasje të bashkëpunimit. Substancë e këtij ligji është Trusti dhe për atë është një populizëm që është shfaqur te qytetarët tonë. Ekziston mundësia që t’i marrin 30 për qind përderisa ato janë paratë e tyre dhe duan që t’i shfrytëzojnë dhe si rrjedhojë ne kemi marrë një nismë që në projektligj të jetë vetëm Trusti dhe kjo mund të kalohet brenda ditës”.

“Përndryshe ligji nuk është substancial dhe s’është që i ndihmon bizneset dhe nuk është që i jep një dritë ngritjes ekonomike të vendit tonë”.

Deputetja e PDK-së tha se nuk është e qartë se çka ofron konkretisht ky ligj.