Kur mund të lëvizin kosovarët pa viza nëse sot jepet rekomandimi pozitiv?

E publikuar: 18/07/2018 12:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot Kosova pritet ta marrë lajmin e mirë për çështjen e liberalizimit të vizave.
Klan Kosova sjellë detajet e të gjithë hapave dhe zhvillimeve që pritet që të ndodhin në muajt në vijim, deri në fund të vitit, eventualisht në fillim të vitit të ardhshëm, kur kosovarët pritet që të mund të lëvizin lirshëm, pa viza.

Pas shpalljes së përfundimit të të gjitha kushteve për Kosovën nga Komisioni Evropian, gjatë muajve korrik-shtator pritet që Këshilli i Bashkimit Evropian të diskutojë për raportin e pozicionit negociues të Këshillit.

Paralelisht me procedurën ne Parlament Evropian mund të fillojnë edhe diskutimet në Këshill për të marrë mandatin për trialog.

Vendosjen në agjendë e bënë Presidenca aktuale e BE-së. Në këtë pikë, shtetet anëtare mund të kërkojnë informacione shtesë nga Komisioni Evropian i cili duhet të mbrojë propozimin për liberalizim të vizave në bazë të argumenteve që janë dhënë gjatë procesit.

Pas kësaj, në muajin shtator pritet që Këshilli i Bashkimit Evropian ta miratojë pozicionin negociues të Këshillit. Ky akt vjen pasi që diskutimet në grupe punuese të marrin fund.

Po në këtë muaj, pritet që të mbahet edhe diskutimi mes Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian ku duhet të pajtohen për votimet përfundimtare.

Trialogun e fton Parlamenti Evropian por prezentë duhet të jenë të tri institucionet e lartëpërmendura.

Pas këtij diskutimi, nsëse dakordohen të tre institucionet, pritet që në fillim të muajit tetor të jetë votimi në seancë plenare të Parlamentit Evropian.

Pas votimit në Parlamentin Evropian që duhet të jetë me shumicë të thjeshtë, duhet të bëhet votimi në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve anëtare të BE-së në Bruksel (COREPER) që planifikohet të ndodhë në muajin tetor ose nëntor.

Votimi përfundimtar në Këshillin e Bashkimit Europian, sipas kësaj agjende të siguruar nga Klan Kosova, pritet të bëhet në muajin nëntor të këtij viti.

Nëse gjithçka shkon sipas këtij planit, gjithçka pritet të marrë fund pas 28 ditësh, pas votitmit në Këshillin e BE-së, kur edhe mund të hyjë vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët.