Kur do të hiqet roamingu mes Shqipërisë dhe Kosovës?

E publikuar: 09/03/2019 16:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Kosovës në muajin qershor të vitit të kaluar ka miratuar rezolutën për heqjen e tarifave të roamingut në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Mirëpo, nga atëherë e deri më tash nuk është bërë ndonjë hap konkret për heqjen e kësaj tarife. Tani po thuhet se roamingu mes dy shteteve shqipfolëse do të hiqet në maj këtij viti.

Tarifat e romingut në telekomunikim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duket se do të vazhdojnë të paguhen edhe për disa muaj nga qytetarët.

Heqja e këtyre tarifave pritet të ndodh kah mesi i këtij viti, ndonëse kanë kaluar shumë muaj që kur në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar rezoluta për heqjen e tarifave të roamingut në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Në deklarimet e fundit zyrtarët e  qeverisë së Kosovës kanë premtuar se heqja e roamingu mes Kosovës dhe Shqipërisë do të bëhet në muajin maj të këtij viti.

“Ne, si Kosovë, jemi gati menjëherë ta zbatojmë romingun, por besoj që edhe Tirana shumë shpejt besoj përmes vendimit të Qeverisë dhe Parlamentit do ta marr atë vendim dhe në maj nuk do të kemi problem me romingun, dhe do të zbatohet”, pati thënë ditë më parë në një deklarim për media  koordinatori kombëtar i të dy qeverive, Fatmir Limaj.

Limaj pati treguar po ashtu se  heqja e tarifave dhe shumë marrëveshje tjera të arritura më parë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, janë në rrugë të mirë të zbatimit.

E në  Autoritetin Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP),  kanë thënë se janë të gatshëm të japin kontributin e vet profesional me të gjitha kapacitetet në dispozicion në zbatim sa më të shpejt të roamingut.

“ARKEP është i gatshëm ta jep kontributin e vet profesional me të gjitha kapacitetet në dispozicion në zbatim sa më të shpejt të saj. Heqja e roamingut është i mirëpritur nga ARKEP-i për shkak se krijon kushte më të mira për qytetarët dhe një hap i tillë në të ardhmen do të merret edhe me vendet e tjera të rajonit”.

Në ARKEP  thonë se ekziston një vullnet i të gjitha vendeve të rajonit për largimin e roamingut.

Heqja e këtyre tarifave ishte sugjeruar që në vitin 2014 nga Instituti “GAP” në Kosovë, në vazhdën e marrëveshjeve të arritura asokohe mes dy shteteve, takimeve të përbashkëta ndërmjet përfaqësuesve qeveritarë dhe pas deklaratave të zyrtarëve nga të dyja vendet për thellim të bashkëpunimit ekonomik.

Në analizën e atëhershme, “think tank”-u jepte disa argumente se përse dy vendet duhet t’i hiqnin shpenzimet e “Roaming”-ut mes tyre, duke kujtuar mes të tjerash se kjo lëvizje është në përputhje me direktivat europiane dhe se një model i tillë është praktikuar mes shteteve të BE-së që nga viti 2007, kur Komisioni Europian nisi aplikimin e “eurotarifave”.

Tarifa e romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një vend tjetër nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian u ka kërkuar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që ta heqin këtë tarifë, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve. /Monitor.al