Kundërshtohet koncepti i ri arsimor që përgjysmon lëndët mësimore

E publikuar: 19/12/2020 15:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Reformat në sistemin arsimor të prezantuara nga Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut, kanë shkaktuar reagime të shumta në opinion, në veçanti ato që kanë të bëjnë me bashkimin e disa lëndëve mësimore.

Me konceptin e ri, të prezantuar nga ministrja Milla Carovska, në arsimin fillor, lëndët e Biologjisë, Kimisë, Fizikës dhe Gjeografisë do të bashkohen në një lëndë – Shkencat natyrore, kurse Historia, Edukimi qytetar dhe një pjesë e Gjeografisë do të shkrihen në lëndën e re- Shkencat shoqërore. Muzika dhe Arti do të shkrihen në lëndën Edukimi artistik.

Nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit kanë siguruar se asnjë mësimdhënës nuk do të mbetet pa punë, madje duke theksuar nevojën edhe për kuadër plotësues. Ministrja e Arsimit, Milla Carovska, ka thënë se “koncepti i ri është në përputhje me vendet e zhvilluara ku ka integrim të shkencave natyrore dhe shoqërore dhe se ideja është që të formojmë të rinj, qytetarë, që mund ta çojnë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe shoqëror”.

Por, Sindikata e Arsimit druan se reformat do të mund të lënë pa punë shumë mësimdhënëse, andaj edhe kërkojnë sqarime mbi konceptin e prezantuar.

“Duhet të kemi kujdes që asnjë mësimdhënës të mos mbetet pa punë. Ka shumë paqartësi, thuhet se do të bashkohen katër lëndë në një, ndërsa nuk dihet se si do të ligjërohet ajo, si do të ndahet ajo mes katër mësimdhënësve. A do të kenë ata fondin e duhur të orëve? Mësimdhënësit janë të brengosur për të ardhmen e tyre. Reforma duhet të ketë, por jo të dëmtohen të punësuarit. Ne jemi duke i analizuar propozimet sikur që jemi duke dëgjuar edhe vërejtjet e kuadrit mësimor që të paraqesin propozimet tona”, thotë Jakim Nedelkov, kryetar i Sindikatës së Arsimit.

Reagimet më të mëdha kanë të bëjnë me lëndën e Historisë, e cila duhet të shkrihet në lëndë të re, tani në periudhën e kontesteve të mëdha me Bullgarinë.

Nga Instituti i Historisë kanë theksuar se “historia është mësuese e jetës jo sepse është lëndë në shkolla, por sepse është nevojë ekzistenciale shekullore e çdo vendi”.

Emil Sulejmani, profesor në Fakultetin Pedagogjik në Shkup, thotë se bashkimi i më shumë lëndëve në një, nuk mund të quhet reformë në arsim. Ai thotë se sistemi arsimor ka nevojë për reforma, jo për zhdukje të lëndëve.

“Është e papranueshme që të hiqet si lëndë për shkak se nuk mund të planifikojmë ardhmërinë në qoftë se nuk e dimë të kaluarën. Revidim të programeve mësimore mund të ketë, edhe modernizim të lëndëve që qasja te nxënësit të jetë më adekuate lidhur me çështjet historike dhe të historiografisë së popullit. Pra, mendoj se është absurde të themi se nuk na duhet historia dhe absolutisht është e papranueshme që ajo të bashkëngjitet me Sociologjinë, me Edukimin qytetar. Janë krejtësisht lëndë tjera që nuk mund të përputhen me njëra-tjetrën”, thotë Sulejmani.

Ai vlerëson se gjithë reagimet që dalin në opinion kundër reformave në arsim janë si pasojë e moskonsultimit të faktorëve relevantë, dhe marrjes së vendimeve nga një grup i vogël njerëzish, që më tepër nisen nga kriteret politike se sa ato profesionale gjatë miratimit të reformave në fusha të caktuara. Sulejmani thotë se Fakulteti Pedagogjik që nxjerr kuadro për arsimin fillor aspak nuk është konsultuar dhe se për reformat e hartuara është njoftuar nga mediat.

“Është absolutisht i papranueshëm moskonsultimi i organeve relevante, të cilat e përgatisin atë kuadër dhe të cilat janë të thirrura për atë problematikë. Unë nuk e di pse nuk konsultohen. Edhe ne, si Fakultet Pedagogjik fare nuk kemi qenë të konsultuar, vite me radhë. Dihet se cili është rezultati final nga e gjithë kjo, deformimet i paguajnë fëmijët tanë. Në këtë mendoj se shumë pak duhet të ketë politikë dhe më tepër profesionalizëm”, vlerëson Sulejmani.

Sipas Ministrisë së Arsimit, koncepti i ri mësimor pritet të nisë të zbatohet që nga shtatori i vitit 2021. Reforma në arsim, me programe të reja mësimore, me shkurtim të orëve mësimore, ishin paralajmëruar edhe para tre vjetësh nga ish-ministrja e Arsimit, Renata Deskovska, por ato nuk ishin zbatuar në praktikë.