Kundër LDK’së edhe në Gjykatë, Vjosa Osmani kërkon të shpallet antikushtetues dekreti i Presidentit

E publikuar: 12/05/2020 21:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka shfaqur edhe një herë një qëndrim të kundërt me partinë e saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Osmani, që mban postin e nënkryetares në LDK, ka dalë kundër partisë që udhëhiqet nga Isa Mustafa edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ish-kandidatja e LDK’së për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 ka kërkuar të shpallet antikushtetues dekreti i presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për ta mandatuar bashkëpartiakun e saj, Avdullah Hoti, për kryeministër të ri të vendit.

Gazeta Express ka siguruar komentet e Osmanit dërguar Gjykatës Kushtetuese, lidhur me kërkesën për vendosje meritore në rastin KO72/20.

“…kërkoj me respekt nga kjo Gjykatë e nderuar që të shpallë një Aktgjykim, përmes të cilit konstaton se Dekreti i Presidentit Nr. 24/2020 është në kundërshtim me Kushtetutën sepse nëpërmjet këtij Dekreti, Presidenti i vendit ka tejkaluar kompetencat e veta duke ndërhyrë në kompetencat e institucioneve të tjera dhe rrjedhimisht duke rënë në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve”, ka shkruar Osmani.

Më poshtë, ju sjellim dokumentin e plotë.