Kumanova me numër të madh të të infektuarve me koronavirus

E publikuar: 06/04/2020 12:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kumanova sot në orën 5:00 të mëngjesit ka dalë nga izolimi 56 orësh i caktuar nga e premtja e kaluar në orën 21:00.

Kjo masë u ndërmorr nga qeveria pasi numri i të infektuarve në këtë komunë me rreth 100 mijë banorë tejkaloi shifrën 100.

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, për Radion Evropa e Lirë thotë se gjatë ditës së sotme pas përfundimit të karantinës pjesa më e madhe e qytetarëve po i respektojnë rekomandimet që të mos dalin qytetarët pa nevojë nga shtëpia si dhe të mbajnë distancën megjithëse shton se ka një grup i caktuar që nuk u përmbahen të njëjtave dhe vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve në këtë rajon.

“Për fat të keq, akoma ka individë dhe grupe të caktuara që nuk i respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Kërkojmë nga organet e rendit që ti paralajmërojë të njëjtit dhe të ndërmarrin veprime konkrete ndaj tyre”.

“Mendoj se mund të dalim nga kjo situatë vetëm përmes futjes së Kumanovës në karantinë duke kufizuar në minimum lëvizjen e qytetarëve”, thekson Dimirtievski.

Ai kërkon që edhe për Kumanovën të aplikohet modeli i Dibrës duke e futur në izolim të plotë tërë qytetin e Kumanovës si masë preventive për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Dibra paraqet një shembull të mirë se si të zgjidhet përkatësisht të menaxhohet kjo krizë. Sa më herët të ndërmirren veprimet e tilla aq më shpejtë dhe rezultatet do të jenë më të mira edhe pse më duhet të theksoj se veprimi inert i institucioneve të caktuara duke mos i parë faktet kontribuojnë që të përhapet koronavirusi me shpejtësi në Kumanovë”, thekson Dimitrievski.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, informoi se gjatë ditës së sotme Qeveria mund të propozojë masa më rigoroze për parandalimin e koronavirusit, pa dhënë më shumë detaje.

Përderisa, Isen Saliu, gazetar nga Kumanova, thotë se qeveria dhe shtabi operativ për përballje me virusin COVID-19 gabuan që me kohë nuk e dëgjuan kryetarin e komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski i cili kishte kërkuar që të merren masa më të ashpra sa i përket kufizimit të lëvizjes së qytetarëve.

Saliu thotë se numri i madh i të infektuarve është si rrjedhojë e mosrespektimit të protokollit të rregullave gjatë trajtimit të personave të dyshuar se janë të infektuar nga virusi.

”Sidoqoftë tani duket se situata ka dalë nga kontrolli dhe mendoj se vetëm Kumanova si qytet nuk do të mundet të përballet me këtë situatë, por do të nevojitet edhe angazhimi i forcave shtesë mjekësore nga Shkupi për të lokalizuar gjendjen në Kumanovë”, thotë Saliu duke shtuar se me shumë rëndësi është që autoritetet, qeveria dhe shtabi operativ për përballje me virusin duhet sa më shpejtë ti përgjigjen kërkesës së kryeartit të komunës së Kumanovës që ky rajon të izolohet.

Por, drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik në Kumanovë, Arif Latifi, për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk ka vend për panik dhe se qytetarët do të marrin shërbimet e duhura shëndetësore, si dhe shton se me rëndësi të veçantë është që qytetarët të japin të dhëna të sakta gjatë anketave epidemiologjike.

Arif Latifi si mjek thotë se duhet kuptuar se infeksioni COVID-19 nuk duhet trajtuar si turp, por si një e keqe që kërcënon gjithësecilin.

“Ka edhe mjekë të infektuar, por për fat të mirë numri është i vogël. Më shumë ka të infektuar nga personeli tjetër mjekësor, si motrat, teknik rengeni etj. Nuk ka rrezik për funksionimin e sistemit shëndetësorë në Kumanovë“.

“Kemi detektuar më shumë raste pozitive tek anëtaret e të njëjtave familje dhe të afërmit e tyre”, thotë Arif Latifi, drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik në Kumanovë, duke u bërë apel qytetarëve të Kumanovës që të qëndrojnë në shtëpi sepse kështu mbrojnë veten e tyre dhe stafin mjekësore“.

Thirrje për të qëndruar në shtëpi në këto momente kritike përderisa kurba e të infektuarve shënon rritje rapide ka bërë dhe Kastriot Abdyli, regjisor nga ky qytet.

Ai bashkëqytetarëve të tij u sugjeron që betejën me koronavirusin ta zhvillojnë në shtëpi.

“Gjatë kësaj kohe që ne jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpi mund të merremi me shumë gjëra që s`kemi pas kohë të merremi edhe kundrejt dëshirës. Së pari ne kohën mund tua kushtojmë fëmijëve, gjë që kemi dashur ta bëjmë por s`kemi pasur mundësi“.

“Gjithashtu mund të kushtojmë më shumë kohë për veten duke lexuar libra që kemi dashur ti lexojmë por s`kemi pasur kohë. Gjithashtu mund të shohim filma”, thotë Kastriot Abdyli duke shtuar se kjo kohë e izolimit në shtëpi jep mundësi për komunikimin më të relaksuar pa presionin e kohës me miqtë përmes rrjeteve sociale.

Numri i të infektuarve në Maqedoninë e Veriut ka tejkaluar 500 ndërkohë që tashmë janë regjistruar 18 viktima nga koronoravirusi.