Kultura e nepotizmit shpërfaqet në shumë institucione

E publikuar: 23/02/2019 15:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rrënjët e nepotizmit duket qartë se po kalbin në masë të pariparueshme themelet e institucioneve të shtetit, thonë ekspertët juridikë. Ata theksojnë se Maqedonia e Veriut nëse synon të bëhet pjesë e familjes evropiane, duhet sa më parë duhet të fillojë pikërisht me dhënien fund të kulturës së nepotizmit.

Këto reagime vijnë pasi për çdo ditë mësohet se familjarët e zyrtarëve të lartë të shtetit sistemohen në vende pune në administratën shtetërore dhe ndërmarrjet publike, ku pagat janë nga më të larta.

Mirjana Najcevska, ish-kryetare e Komitetit të Heksinkit në Shkup, për Radion Evropa e Lirë thotë se punësimet partiake nuk paraqesin vetëm akt moral apo etik, por problem që tregon se i tërë sistemi është jofunksional sa i përket administratës shtetërore.

“Në punësimin e të afërmeve të funksionarëve të lartë të shtetit nuk kanë marrë pjesë vetëm politikanët me ndikimin e tyre, por këtu janë të përfshirë edhe drejtorët e ndërmarrjeve publike, këshillat mbikëqyrës që veprojnë në këto institucione. Pastaj, këtu e kemi Ministrinë e Financave që ka dhënë pëlqim për këto punësime dhe në fund si kulm është vetë Qeveria, e cila në pozita udhëheqëse vendos persona të tillë që janë të gatshëm të ushtrojnë influencë, madje edhe duke shkelur ligjin për të favorizuar të afërmit”.

“Pra, bëhet fjalë për një problem të thellë të mosfunksionimit të sistemit, problem ky që duhet të ballafaqohemi sa më parë për ta zgjidhur dhe jo çështja të adresohet tek aspekti moral”, thotë Najçevska.

Ndërkaq, Argëtim Saliu, ligjërues në Fakultetin e Administratës në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të veprojnë të gjitha mekanizmat juridikë për të parandaluar këtë fenomen, në të kundërtën ky fenomen do t`i paralizojë proceset reformuese në administratë .

“Kjo dukuri negative e punësimeve në bazë të afërsisë familjare, nuk është një fenomen i ri dhe i panjohur për ne, për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ky proces ka qenë dhe është ende prezent, por duhet të kemi kujdes se me nepotizëm dhe partizim të Administratës Publike, elitat politike do t’i shkaktojnë dëm vendit dhe shoqërisë”.

“Në këtë rast iu bëj thirrje mekanizmave kontrollues si: Agjencia për administratë, Komisioni për parandalimin e korrupsionit , mediat dhe shoqëria civile, të jenë më aktive dhe syhapur për të penguar shtrirjen e mëtejme të kësaj dukurie”, konsideron Saliu.

Pas presionit të opinionit Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë thirrje që të tërhiqen të punësuarit që janë në lidhje familjare me funksionarët e pushtetit aktual, por edhe atij të mëhershëm.

“U bëj thirrje të gjithëve edhe nga pushteti edhe nga opozita, theksoj edhe me mijëra nga opozita, që të tërhiqen. Të gjitha të dhënat edhe për të ardhshmit edhe për të tjerët, do t’i dorëzojmë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit”, ka deklaruar për mediat ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Damjan Mançevski.

Nga opozita kjo shihet si tentim për të ndarë padrejtësisht barrën e përgjegjësisë për faktin se opozita nuk ka influencë në përzgjedhjen e kuadrit në administratë.

Nga VMRO DPMNE-ja thonë se në shtet e zhvilluara evropiane kur bëhen publike skandalet lidhur me nepotizmin, nuk japin dorëheqje nga vendi i punës familjarët, por vetë zyrtarët.

Megjithatë, Mitko Gaxhovski, profesor universitar, thotë se presioni i opinionit publik paraqet një mekanizëm të fuqishëm për t’i hapur rrugë çrrënjosjes së nepotizmit që rrënjët i ka shumë të thella në institucionet e shtetit.

“Mendoj se trendi i heqjes dorë nga vendi i punës do të vazhdojë edhe më tej, pasi që tanimë një pjesë kanë deponuar kërkesën për ndërprerjen e kontratës së punës dhe një pjesë tjetër ka paralajmëruar një gjë të tillë, kështu që porosia tanimë është dërguar se të qenët i afërm me politikën, nuk të mbron nga gjyqi i popullit”, vlerëson Gaxhovski.