Kullat e Jasharajve rrezikohen nga shembja

E publikuar: 07/03/2016 00:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më 5 mars 1998, në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharajve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike.

Sulmi mbi Jasharajt në të katër anët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit. Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharajt dhe qëndresa heroike e tyre zgjat tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998, shkruan lajmi.net

Gjatë këtyre tri ditëve, vriten Adem dhe Hamëz Jashari dhe mbi 50 anëtar të familjes. Tri shtëpitë e tyre u shkatërruan në mas të madhe. Muret e goditura nga artileria serbe, lanë pasoja të mëdha. Megjithatë ato nuk u shembën.

Kjo rezistencë tashmë po vazhdon luftën me kohën. Këto kulla po rrezikojnë rënien e dytë, pasi institucionet prej përfundimit të luftës që 17 vite, nuk kanë ndërhyrë në restaurimin e tyre.

Drejtori i Agjencionit për Mbrojtjen e Memorialeve të Luftës, Idriz Blakaj, thotë për lajmi.net se nëse vazhdon kjo neglizhencë e institucioneve, kullat janë në rrezik të rrënohen nga dëmtimet.

“Një ballkon veç është rrënuar, ndërsa muret janë çarë dhe ky rrezik po vazhdon ta cënojë qëndrueshmërinë e kullave”, thotë Blakaj.

Ai tregon se Agjencioni që e drejton, ka projektuar restaurimin e tri kullave të Jasharajve, një të Sahit Jasharit dhe bunkerit të ish-luftëtarëve të UÇK-së.

“Projekti kap koston prej pesë milion eurove. Tenderi mund ta rrisë ose ta ulë këtë shumë, por e rëndësishme është që paratë të ndahen. Po shpresojmë që me rishikimin e buxhetit të bëhet një gjë e tillë”, deklaron Blakaj për lajmi.net

Blakaj shton se kullat nuk do të mbyllen për vizitorë, ndërkaq familja Jasharaj sipas tij, nuk përzihet në këto punë pasi kullat tashmë janë shpallë zonë kombëtare me interes të veçantë. /lajmi.net/