Kukësi kampion, kundër Skënderbeut, penallti dhe dy të kuqe (Vido)

E publikuar: 20/05/2017 21:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kukësi është kampioni i Shqipërisë në futboll pasi mposhti mes tensioneve në ndeshjen e parafundit të kampionatit 2-0 Skënderbeun.

Kroati Pero Pejic është lojtari që më shumë se çdo tjetër nga kuksianët e meriton këtë trofe, duke qenë se edhe në ndeshjen e fundit ishte ai autori i dy golave.

Mes tensioneve, Kukësi i drejtuar këtë sezon nga trajneri Ernest Gjoka, ka arritur të thyejë 2-0 Skënderbeun, kampionët në fuqi të kampionatit.

Skënderbeu mbeti me një lojtar me pak në fillimin e takimit, kur Pejic po shkonte i vetëm me portierin dhe u ndal nga Mici. Jorgji e ndëshkoi me të kuqe lojtarin korçar. Kukësi kaloi në avantazh me një 11-metërsh të kthyer në gol nga Pejic.

Por me nisjen e pjesës së dytë, Jorgji u bë sërish protagonist. Korçarët pretendojnë për një 11-metërsh, por Jorgji nuk mendon kështu dhe ndëshkon edhe me kartonin e kuq Osmanin. Në tension e sipër Salihi i gris kartonin e kuq gjyqtarit.

Edhe pse me dy lojtarë më pak, Skënderbeu bëri të gjitha përpjekjet për të gjetur golin e barazimit, por nuk mundi të çante mbrojtjen e vendasve.

Në minutat e fundit të shtesës, nga 6 të tilla, kroati arrin ta dërgojë edhe një herë topin në rrjetë, duke vulosur rezultatin në 2-0.

Dhe në Kukës nis festa…

/ Top Channel