Kukës, bllokohen rruget dhe mungon energjia elektrike

E publikuar: 06/04/2015 13:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kukësi dhe Hasi nuk furnizohen me energji elektrike prej mesnatës së të dielës. Shkak për këtë është bërë një defekt në rrjetin shpërndarës të energjisë, në sistemin e transmetimit të linjës 110 kë që vjen nga Fushë-Arrëzi, si pasojë e motit të keq.
Bëhet fjalë për një defekt të rëndë, ndërkohë që punonjësit e OST-së dhe të OSHEE-së ndodhen në terren për të rikthyer energjinë elektrike.

Probleme nga moti i keq ka pasur edhe me qarkullimin, kryesisht në zona të thella, pasi bora e rënë deri në 45 centimetra ka sjellë bllokim të herëpashershëm të disa rrugëve në zonat rurale.

Qarkullimi në rrugët rurale bëhet me zinxhirë. Të bllokuara janë komunat Arrën, Kalis dhe Grykë-Cajë. Rruga e Kombit, gjatë mesnatës së të dielës, ka patur vështirësi pasi reshjet e dëborës kanë qenë me intesitet të lartë, por situata është vënë nën kontroll pasi qarkullimi bëhet normalisht pa zinxhirë.

Në Rrugën e Kombit janë në gadishmëri mjetet borëpastruese, ndërsa Policia Rrugore ka vendosur edhe postoblloqet për kontrollimin e automjeteve që udhëtojnë pa pajisje dimërore.

Ndërkohë, Tropoja furnizohet me energji elektrike dhe ka pak reshje të dëborës./Indeksonline/