Kujtim Shala: Dialogu kusht ndërkombëtar, taksa u bë problem që duhet zgjidhur

E publikuar: 29/09/2019 22:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për deputet nga LDK-ja, Kujtim Shala, ka thënë se dialogun do ta vazhdojnë sepse është një kusht ndërkombëtar dhe interes edhe i Kosovës.

“Qeveria e re do të jetë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe dialogu është kushti ndërkombëtar për Kosovën që determinon raportet tona edhe me partneret tonë, që janë dëmtuar relativisht shumë në vitet e fundit”.

“Qeveria duhet të merret dhe të veprojë në gjithë fushëveprimin e saj sepse edhe po të mbyllim procesin e dialogut shumë shpejt ai proces nuk do t’i zgjidhë edhe çështjet e papunësisë. Domethënë Qeveria duhet të funksionojë sipas Kushtetutës dhe formatit që ka ajo”.

“Procesin e dialogut do ta vazhdojmë sepse ai është kushti ndërkombëtar dhe në një rrafsh është edhe interesi ynë. Ajo që kërkojmë është që Kosova të reflektojë subjektivitetin e saj. Pse duhet të ndodhë kjo? Është ekzistenciale sepse ne këtë proces do ta drejtojmë, pra kryeministrja e Kosovës do ta drejtojë si një proces drejt njohjes së Kosovës”.

“Ky është qëllimi, s’ka kurrfarë refuzimi për procesin, por ka refuzim që ne të diskutojmë për çështje që e rrezikojnë interesin nacional të Kosovës”.

Ndërkaq Shala ritheksoi qëndrimin e partisë së tij për taksën, por atë e quajti edhe si problem që u aktualizua dhe se këtë duhet ta zgjidhë qeveria e re.

“Sa i takon tarifës, ajo është vënë si masë politike dhe është përdorur si pretekst edhe në politikën tonë dhe atë ndërkombëtare. Ajo është kthyer në problem dhe ne duhet ta zgjidhim. Ky problem nuk është i thjeshtë, taksa nuk mund të hiqet pa kushte sepse do të dëmtojmë interesin tonë”.

“Ajo duhet të kushtëzohet në një rrafsh propocionaliteti domethënë me gjëra që janë të përballueshme dhe janë të krahasueshme me masa të tilla”.

“Ndërkaq, si zgjidhje sistematike dhe jo vetëm për këtë, ne mendojmë që janë masat e reciprocitetit, të cilat edhe në politik dhe të drejtës ndërkombëtare janë më të pranueshme dhe të shpjegueshme”.

“Ky është pak a shumë qëndrimi i LDK-së që është përsëritur në vazhdimësi”.

Shala në Zona Zgjedhore sa i përket kandidimit të Vjosa Osmanit për postin e kryeministrit tha se konkurrenca brenda partisë ka qenë pozitive pasi e bën një zgjedhje më të mirë.

“Brenda natyrës politike të organizimit tonë duhet të mendojmë ndryshe nëse ruajmë paradigmat themelore ideologjike dhe politike që kemi. Në konkurencë zgjedhjet janë më të mira dhe të forta. Mendimet dhe qëndrimet ndryshe nuk i prishin aspak punë DLK-së”.